
Korça do të presë nesër edicionin e parë të maratonës ndërkombëtare "Little Paris", organizuar nga shoqata “Maraton Albania”, në bashkëpunim me bashkinë Korçë. Aktiviteti do të zhvillohet gjatë paradites në qytetin e Korçës, dhe përfshin 3 disiplina garuese.
Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, nga ora 08:00 deri në orën 12:00 të datës 20.09.2026, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në rrugët e mëposhtme:
- bulevardi "Republika", bulevardi "Rilindasit", rrugët "Erdoej", "Dishnicë-Kryqëzimi i Çifligut", "Muzakaj", "Marigo Pozoi", "Isan Korça", "Petro Strugji", te kryqëzimi i Ersekës, "Antonio Athanas", në drejtim të Polit të Eventeve deri në fshatin Qatrom.
Në kthim të garuesve:
- rrugët "Gaqo Avrazi", "Koço Tupa", bulevardi "Fan Noli", rrugët "Kiço Greço", "Midhi Kostani", "Teli Samsuri", "Niko Kovaçi", deri te pika e nisjes, bulevardi "Republika".
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, që përgjatë këtij intervali kohor të përdorin segmentet rrugore "Kryqëzimi i Plasës-Kryqëzimi i Libonikut" dhe "Qatrom-Voskop-Lumalas".
Për qytetarët, apelohet që të shmangin përdorimin e mjeteve deri në përfundim të aktivitetit dhe të qarkullojnë në rrugët dytësore brenda lagjeve.
