Nga Boldnews.al
Prokuroria Speciale SPAK që nga themelimi i saj kurrë nuk ka qenë kaq e shpejtë në hetime si në rastin e skandalit për bllokimin e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe nëpunësve të tjerë të administratës në sistemin e drejtësisë.
Paraditen e djeshme u mor në pyetje drejtoresha e thesarit, ndërsa një grup agjentësh të BKH-së mbërritën në Ministrinë e Financave ku sekuestruan dokumenta të ndryshëm, kryesishit materiale shkresore dhe e-maile zyrtare që çuan në moszbartimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave në të gjithë sistemin e drejtësisë dhe mënyrën e përllogaritjes.
Mes personave të kallëzuar për shpërdorim detyre është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj. “Kallëzohem sepse po kërkoj të mbroj ligjin dhe mbroj dyert e financave të shtetit”, tha natën vonë në Parlamet, ministri i Financave. Ky i fundit duket se po e kërkon vetë fundin, më shpejt sesa koha ku Rama ia shterron edhe atë pikëz vaji në kandilin që s’po ndriçon.
Po mesnatën e së enjtes, fort i hallakatuar edhe në mendime, kryeministri Rama shkoi në Parlament për të dhënë edhe votën e tij në ndryshimet ligjore që mundësojnë zhbllokimin e pagave. Formula përllogaritëse e rritjes së pagave është kundërshtuar si nga opozita ashtu edhe magjistratët, por tashmë ky ligji mori fuqi kur presidenti i vendit rendi me shpejtësi në zyrë dhe pa u menduar fare mëngjesin e sotëm dekretoi këtë ligj.
A u shkel ligji dhe kushtetuta e vendit kur qeveria dhe mazhoranca parlamentare refuzoi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushteuese? Këtë më mirë se kushdo e di “sypetriti” i financave që edhe nëse e ka zët të pyesë juristët që ia ka emëruar tjetërkush në ministrinë që thotë se e drejton, mjafton të konsultohet me ndonjë të afërm të besuar, që të paktën të kenë mbaruar semestrin e parë të fakultetit juridik.
Me siguri do ia thotë hapur se ja ka futur fort kot në bllokimin e pagave në sistemin e drejtësisë dhe vepra penale quhet e konsumuar. Në këtë rast është samari që po “ha dru” nga SPAK-u sepse edhe specialët prokurorë as nuk guxojnë ta gudulisin qoftë edhe pak mushkën zevzeke që vetëm shkelmon e kafshon këdo.
Sypetriti i financave edhe këtë herë nuk ishte aspak vigjilent që të paktën mos e pësonte kaq trashë, për tu bërë “dëshmor” i kohëve moderve për kryetarin, ashtu si “200 Petritat” që u “flijuan” për partinë dikur…!












