
Pak ditë pas njoftimit për arrestimin e katër personave mbi regjistrimin e paligjshëm të sipërfaqes së 1143 hektarë tokë nën emrin e biznesmenit Kastriot Hasko, prokuroria e Fierit ka bërë publike përfshirjen e ish-drejtorit të Kadastrës, Ertis Shehu në një tjetër skemë të tjetërsimit të pronave, këtë herë në Levan.
Bëhet fjalë për 71.7 hektarë tokë për të cilat ishte përfituar një kompensim financiar nga shteti, por përfituesi Ervin Habilaj sërish ndoqi procedurat për tjetërsimin e 6 pasurive të tjera. Për rrjedhojë, me urdhër të prokurorisë u arrestua edhe Habilaj, ndërsa për ish-hartografin Emiljano Ruko u caktua “detyrim paraqitje’.
Prokuroria sqaron se skema e dyshuar ka të bëjë me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në Levan dhe Dërmënas. Në vitin 2018, Ervin Habilaj, një prej trashëgimtarëve përfitues, mori kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Pavarësisht kësaj në vitin 2023 Habilaj nisi procedurat për të regjistruar edhe 6 pasuri me sipërfaqe totale 71.7 hektarë. Dyshohet se në këtë proces pati rol edh eish-drejtori i Kadastrës Ertis Shehu dhe hartografi Ruko përmes veprimeve të tyre në trajtimin e dokumentacionit për regjistrimin e pronave.
Në njoftim bëhet me dije se janë sekuestruar 715.976 euro në llogarinë bankare të Ervin Habilajt. Ndërkohë që sot Ertis Shehu del para gjykatës për masën e sigurisë lidhur me rastin tjetër të tjetërsimit të 1143 hektarëve tokë në pronësi të Hakos i cili më pas i shiti tek dy kompani të tjera. Versus.al

