Një krater i ri është zbuluar në sipërfaqen e Hënës, i krijuar nga përplasja e një asteroidi që dyshohet se ka ndodhur mes 11 prillit dhe 22 majit 2024. Krateri ka një diametër prej 222 metrash dhe është 43 metra i thellë. Sipas të dhënave të publikuara, bëhet fjalë për impaktin më të ri të zbuluar dhe të dokumentuar deri më tani në Sistemin Diellor.
Zbulimi u bë përmes imazheve dhe të dhënave të sondës së NASA-s, “Lunar Reconnaissance Orbiter”, e cila prej rreth 20 vitesh orbiton Hënën dhe monitoron sipërfaqen e saj. Krateri u identifikua rastësisht nga shkencëtari Robert Wagner, specialist në përpunimin e imazheve. Studimi dhe shpjegimi i detajuar i zbulimit janë publikuar në revistën shkencore “Science Advances”.
Ndryshe nga Toka, Hëna nuk ka një atmosferë që të mbrojë sipërfaqen e saj. Për këtë arsye, objektet hapësinore mund të përplasen drejtpërdrejt me të, pa u penguar apo ngadalësuar nga shtresat atmosferike. Në Tokë, shumë meteorë digjen gjatë hyrjes në atmosferë. Sipas vëzhgimeve të deritanishme, në Hënë përplasen rreth 140 objekte të vogla qiellore çdo vit, por shumica e tyre kanë përmasa shumë më të vogla krahasuar me objektin që krijoi kraterin e ri.