
Shteti shqiptar rezulton se është përfshirë edhe në një gjyq tjetër ndërkombëtar në Arbitrazh, pasi Ministria e Kulturës është detyruar gjatë muajit Gusht që të paguajë një shumë të majme si paradhënie, për një çështje gjyqësore.
Bëhet fjalë për një faturë të zbuluar së fundmi në Thesarin e Shtetit, me vlerë të përafërt rreth 800 milionë lekë të vjetra, një pjesë e së cilës është paradhënie për gjyqin ndërkombëtar, por jo domosdoshmërisht një çështje e humbur për dëmshpërblim.
Pagesat e ilustruara nga “Spending.data.al”, platformë e AIS-it, zbulojnë se institucioni që drejtohet nga Blendi Gonxhja ka paguar vetëm në muajin gusht 2026 rreth 800 mijë euro shpenzime arbitrazhi dhe shërbime ligjore.
Faturat tregojnë se Ministria ka kryer dy pagesa me një vlerë totale prej 76,6 milionë lekësh, të ndara në dy urdhra. Pagesa më e madhe lidhet me urdhrin nr. 674, datë 30 gusht 2026. Ajo arrin në 57,78 milionë lekë dhe specifikohet si paradhënie për kostot e gjyqit. Në përshkrimin e pagesës përmendet procedura e identifikuar me numrin 29714/ICA7, pagesë e cila është konvertuar në dollarë amerikan me vlerë 700,480.
Kjo vlerë nuk është dëmshpërblim ndaj palës tjetër dhe nuk provon që shteti shqiptar e ka humbur çështjen, por ngelet një paradhënie për zhvillimin e gjyqit. Megjithatë vetë fakti që Ministria ka paguar këtë shumë tregon se një procedurë arbitrazhi ka krijuar një faturë të drejtpërdrejtë për buxhetin publik.
Krahas pagesës për gjyqin, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka kryer edhe një pagesë tjetër prej 18,8 milionë lekësh me urdhrin nr. 675, po më 30 korrik 2026 dhe është regjistruar si shpenzim arbitrazhi për shërbime ligjore, raporton "ballëpërballë.al".
Pagesat nga thesari nuk tregojnë se kush i ka marrë këto para për shërbime ligjore. Nuk është e qartë nëse pagesa i është kryer një studioje avokatie apo një subjekti tjetër të përfshirë në procedurë. Po ashtu, nuk ka informacione nëse kjo pagesë lidhet me të njëjtin arbitrazh të shënuar me numrin 29714/ICA7 apo nëse bëhet fjalë për një çështje tjetër.
