Lumturie Patushi, 58 vjeçe, u vra në shtëpinë e të bijës, nga bashkëshorti i cili hyri i dehur dhe nisi të debatonte me viktimën.
Dëshmitarët okularë ishin nipërit e çiftit, për të cilët kujdesej 58-vjeçarja. Autori, 68 vjeç, Hysni Patushi, u vetëdorëzua 3 orë pas krimit në një nga komisariatet e policisë së Tiranës.
Krimi në familje ndodhi në orën 10:20. Lumturie Patushi u sulmua për vdekje me një thikë dhe, siç dëshmoi në polici nipi 14-vjeçar, ai gjendej në banesë me gjyshërit kur i pa ata të debatonin.
Fëmija thotë se u largua për pak çaste dhe, kur u kthye, e pa gjyshin që ishte i dehur duke e goditur Lumturinë me një thikë.
Policia e shpjegon vrasjen të kryer nën efektet e alkoolit të konsumuar nga autori në orët e para të mëngjesit, pasi ka dalë nga shtëpia e tij në zonën e Laprakës dhe më pas ka vijuar me vizitën tek shtëpia e vajzës.
Policia u njoftua në sallën operative, ndërsa fillimisht u raportua për plagosje të rëndë. Por Lumturie Patushi nuk ia doli dot mbanë plagëve, megjithëse ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë; ajo ndërroi jetë në shtëpi.
Top Channel