web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Moody’s përmirëson perspektivën për Shqipërinë/ Konfirmon vlerësimin “Ba3”

19 Shtator 2026, 15:11, Ekonomi CNA

Moody’s përmirëson perspektivën për

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka ndryshuar sot perspektivën për Shqipërinë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, ndërsa ka konfirmuar vlerësimin afatgjatë të emetuesit në monedhë të huaj dhe vendase, si edhe vlerësimin për borxhin e pasiguruar në monedhë të huaj, në nivelin Ba3.

Ndryshimi i perspektivës në “pozitive” pasqyron forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë, i cili, nëse ruhet, do të përmirësojë aftësinë e vendit për të përballuar goditjet ekonomike.

Perspektiva pozitive pasqyron gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të reformave strukturore në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Moody’s ka konfirmuar vlerësimin “Ba3” për Shqipërinë, duke marrë në konsideratë ecurinë e qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe nivelet e moderuara të borxhit publik. Institucionet janë forcuar tashmë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, por mangësitë në shtetin e së drejtës dhe kontrollin e korrupsionit mbeten.

Gjithashtu, nevojat relativisht të larta për financim bruto dhe rreziqet në sektorin bankar, të lidhura me rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave, e ekspozojnë Shqipërinë ndaj goditjeve të papritura.

Forcimi i pozicionit fiskal dhe të jashtëm

Autoritetet shqiptare kanë krijuar një historik të disiplinës fiskale dhe financat publike janë forcuar gradualisht. Shqipëria ka regjistruar suficite të vogla primare në secilin prej tre viteve të fundit, pas vendosjes së një rregulli fiskal që kërkon ruajtjen e një balance primare jo negative.

Performanca e mirë e të ardhurave dhe shpenzimet kapitale më të ulëta se plani bënë që deficiti fiskal të ishte më i ulët se parashikimi, në nivelin 1.8% të PBB-së në vitin 2025.

Moody’s parashikon që deficiti fiskal të jetë mesatarisht 2.3% e PBB-së në vitet 2026 dhe 2027, kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve kapitale, përpara se të ulet gradualisht në rreth 1.6% të PBB-së në vitin 2030. E mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe deficitet e kontrolluara, Moody’s parashikon vijimin e uljes graduale të borxhit të qeverisë, duke arritur në 50.2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52.9% në fund të vitit 2025.

Përmirësimi i treguesve të borxhit mbështetet nga reformat fiskale, përfshirë zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave në vitin 2025, përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike dhe respektimin e rregullave fiskale, të cilat kërkojnë uljen e borxhit publik deri në nivelin 45% të PBB-së.

Përmirësimi i pozicionit të jashtëm

Pozicioni i jashtëm i Shqipërisë u përmirësua ndjeshëm në vitin 2025, me deficitin e llogarisë korente që u ngushtua në një rekord të ulët prej 0.7% të PBB-së, nga 2.4% në vitin 2024.

Përmirësimi u ndikua nga ngushtimi i deficitit tregtar dhe rritja e suficitit të shërbimeve, e nxitur nga vijimi i rritjes së fortë të eksporteve të lidhura me turizmin. Ky trend pozitiv ka vijuar edhe në vitin 2026, pavarësisht goditjes së çmimeve të energjisë që lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Moody’s pret që deficiti i llogarisë korente të mbetet i ulët, mesatarisht rreth 1% e PBB-së në vitet 2026-2027, i mbështetur nga të ardhurat e larta nga turizmi dhe prurjet e qëndrueshme nga emigrantët.Qëndrueshmëria e jashtme mbështetet më tej nga flukset e forta të investimeve të huaja direkte dhe niveli i lartë i rezervave valutore.

Investimet e huaja direkte neto mbetën të konsiderueshme, rreth 5% e PBB-së në vitin 2025 dhe në tremujorin e parë të vitit 2026, duke financuar më shumë se plotësisht deficitin e llogarisë korrente Rezervat valutore janë rritur gradualisht dhe në qershor 2026 arritën rreth 7.9 miliardë euro, ekuivalente me më shumë se shtatë muaj importe, duke siguruar një rezervë të rëndësishme ndaj goditjeve të jashtme.

Përshpejtimi i reformave mund të forcojë institucionet

Edhe pse Shqipëria e nisi procesin e anëtarësimit në BE nga një pozicion më i dobët krahasuar me disa vende të tjera të rajonit, vendi ka krijuar një ritëm të konsiderueshëm reformash që prej hapjes së negociatave në vitin 2022.

Në maj 2026, Shqipëria arriti një moment të rëndësishëm, kur BE-ja përcaktoi se vendi kishte përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, që përfshin institucionet demokratike, reformën e administratës publike, shtetin e së drejtës dhe kriteret ekonomike.

Ky zhvillim i mundëson Shqipërisë të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave dhe forcon rolin e procesit të anëtarësimit si një shtysë për përmirësimin e mëtejshëm institucional.Shqipëria do të vijojë gjithashtu të përfitojë nga fondet e BE-së përmes instrumenteve të paraanëtarësimit dhe Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Alokimi tregues i Shqipërisë në kuadër të këtij plani është 922.1 milionë euro për periudhën 2024-2027, ekuivalente me 3.2% të PBB-së së vitit 2025. Shpërndarja e fondeve lidhet me përmbushjen e objektivave të dakordësuara të reformave. Pavarësisht thellimit të ndarjes mes partive në pushtet dhe opozitës dhe protestave të fundit publike, Moody’s pret vijimin e bashkëpunimit ndërpartiak për reformat që lidhen me anëtarësimin në BE.

Pse u konfirmua vlerësimi Ba3?

Konfirmimi i vlerësimit të Shqipërisë pasqyron rezistencën e ekonomisë ndaj një sërë goditjesh në vitet e fundit dhe pritshmërinë që rritja ekonomike të mbetet solide në periudhën afatmesme.

Moody’s parashikon rritje reale të PBB-së prej 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027, duke përfaqësuar vetëm një ngadalësim të moderuar krahasuar me vitin 2025. Në periudhën afatmesme, turizmi do të vijojë të jetë një faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike, megjithëse zgjerimi i sektorit pritet të ngadalësohet teksa industria maturohet.

Ekonomia shqiptare deri tani ka treguar qëndrueshmëri ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme, e ndihmuar nga mbështetja pothuajse ekskluzive në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrocentralet dhe gjithnjë e më shumë energjia diellore. Megjithatë, madhësia e vogël e ekonomisë dhe diversifikimi i kufizuar vijojnë të kufizojnë vlerësimin e fuqisë ekonomike të Shqipërisë.

Nivelet e moderuara të borxhit publik balancohen nga rreziqet fiskale që lidhen me detyrimet potenciale, përfshirë ato në sektorin e energjisë elektrike dhe partneritetet publiko-private.Presionet për shpenzime sociale dhe të mbrojtjes mbeten të pranishme, ndërsa kostot në rritje të lidhura me plakjen e popullsisë pritet të intensifikohen në periudhën afatmesme.

Rreziqet që evidenton Moody’s

Moody’s thekson se sfida të rëndësishme mbeten, përfshirë forcimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, garantimin e pavarësisë dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor, si dhe vijimin e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rreziku i Shqipërisë ndaj ngjarjeve të papritura lidhet kryesisht me likuiditetin e qeverisë dhe rreziqet në sektorin bankar.

Nevojat bruto për huamarrje të qeverisë parashikohen në rreth 16% të PBB-së në vitet 2026-2027, por këto rreziqe zbuten nga aksesi në financim prej BE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, menaxhimi aktiv i borxhit dhe një bazë e qëndrueshme financimi të brendshëm.

Sektori bankar mbështetet nga kapitalizimi i përshtatshëm, likuiditeti i mirë dhe cilësia përgjithësisht e qëndrueshme e aktiveve. Megjithatë, euroizimi i lartë dhe rritja e shpejtë e kreditimit për sektorin e pasurive të paluajtshme paraqesin rreziqe.

Faktorët që mund të çojnë në ndryshimin e vlerësimit

Një rritje e vlerësimit do të mund të vinte si rezultat i rritjes së besimit se forcimi i pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë po shndërrohet në një përmirësim të qëndrueshëm të aftësisë së vendit për të përballuar goditjet. Përparimi i mëtejshëm në procesin e anëtarësimit në BE, veçanërisht në adresimin e mangësive në shtetin e së drejtës dhe kontrollin e korrupsionit, do të ishte një faktor mbështetës për vlerësimin.

Nga ana tjetër, perspektiva “pozitive” mund të rikthehet në “të qëndrueshme” nëse dobësohet ritmi i forcimit të pozicionit fiskal ose të jashtëm të Shqipërisë. Një progres më i ngadaltë se sa pritej në reformat e lidhura me anëtarësimin në BE, ose dëshmi se këto reforma nuk po zbatohen në mënyrë efektive, do të kishte ndikim negativ në vlerësim.

Presioni për ulje të vlerësimit do të krijohej gjithashtu nëse rritja ekonomike ose performanca fiskale më e dobët do të sillte një rritje të qëndrueshme të borxhit publik, nëse rreziqet e likuiditetit të qeverisë do të rriteshin ndjeshëm, apo nëse do të kishte një dobësim të rëndësishëm të sektorit bankar. /CNA





Lajmet e fundit nga