Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin për mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të cilët janë shpallur fajtor për mjekim të pakujdesshëm, lidhur me vdekjen e Dorjana Hakës, ish-bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha. Sipas raportimeve Gjykata vendosi të mos pranonte rekursin e paraqitur nga mjekja Elonas Burba, duke vlerësuar kështu se vendimi i Gjykës së Apelit nuk përmban shkelje të ligjit material apo procedurial dhe se përgjegjësia penale e saj është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Kujtojmë se Elona Burba u dënua me 1 vit burg, dënim i konvertuar në 2 vite shërbim prove, ndërsa për dy vite iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit. Ndërsa mjeku Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burg, i konvertuar në 1 vit shërbim prove.
Dhimbja për humbjen e Doriana Hakës, ish-bashkëshortes së portierit të njohur të Partizanit, Alban Hoxha, vazhdon edhe pas më shumë se një dekade. Doriana, asokohe, vetëm 25 vjeçe, ndërroi jetë pak ditë pas lindjes së djalit të saj në dhjetor të vitit 2014, në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Sipas familjarëve, Doriana ishte shtruar për lindje cezariane dhe fillimisht gjithçka kishte shkuar mirë. Djali erdhi në jetë shëndoshë e mirë, por pak orë më vonë gjendja e nënës u përkeqësua ndjeshëm. Ajo u transferua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku pas disa ditësh ndërroi jetë. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se shkak i vdekjes ishte tromboza e sinuseve kavernoze të trurit. Ndërkohë, ekspertët evidentuan edhe një pikë që lidhet me përgjegjësinë e mjekëve. Sipas tyre, para ndërhyrjes kirurgjikale nuk u kryen analizat INR dhe APTT, të cilat kontrollojnë nëse gjaku mpikset normalisht. Mungesa e këtyre analizave përpara operacionit është një nga elementet kryesore të evidentuara në ekspertizë lidhur me përgjegjësinë e personelit mjekësor.
