Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një listë me 25 ato që ai i cilëson si arritjet kryesore të mandatit të tij, në një postim në rrjetin social Truth Social të titulluar “TOP 25 TRUMP ACCOMPLISHMENTS OF TERM THREE”.
Postimi vjen në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat do të zhvillohen në nëntor dhe do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit.
Në listën e tij, Trump përfshin një sërë çështjesh që lidhen me emigracionin, ekonominë, tregtinë, politikën e jashtme dhe çështjet sociale.
Në fushën e emigracionit, presidenti amerikan pretendon se ka krijuar “kufijtë më të sigurt në histori” dhe se administrata e tij nuk ka pranuar asnjë emigrant të paligjshëm në SHBA gjatë 16 muajve të fundit. Shtëpia e Bardhë ka paraqitur më herët pretendime të ngjashme për politikat e administratës në kufirin jugor.
Trump rendit gjithashtu si një nga arritjet e tij vendimin për ta bërë anglishten gjuhë zyrtare të Shteteve të Bashkuara, si dhe politikat që synojnë kufizimin e pjesëmarrjes së burrave në sportet e grave.
Një pjesë e rëndësishme e listës i kushtohet Iranit. Trump pretendon se, përmes operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit dhe zhvillimeve të mëvonshme në rajon, SHBA-ja ka eliminuar aftësinë e Teheranit për pasurimin e uraniumit dhe se kjo do të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore. Shtëpia e Bardhë ka bërë më herët të njëjtin pretendim, duke thënë se kapaciteti iranian i pasurimit bërthamor është “obliteruar”.
Trump përmend edhe politikën tregtare të administratës së tij, duke vënë në dukje tarifat e vendosura ndaj importeve nga partnerë të ndryshëm tregtarë. Sipas presidentit amerikan, këto masa kanë synuar rikthimin dhe forcimin e industrisë prodhuese në SHBA.
Në listën e tij përfshihen gjithashtu uljet e taksave, të cilat Trump i cilëson si “më të mëdhatë në historinë amerikane”, si dhe një sërë masash ekonomike të ndërmarra gjatë mandatit të tij.
Në politikën e jashtme, Trump pretendon se gjatë 12 muajve të parë ka përfunduar tetë luftëra përmes marrëveshjeve të paqes. Në këtë kuadër, ai përmend edhe konfliktin në Gaza dhe rikthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi te familjet e tyre. Shtëpia e Bardhë e ka përfshirë gjithashtu rikthimin e pengjeve si një nga rezultatet kryesore të politikës së jashtme të administratës.
Trump e paraqet listën si një bilanc të mandatit të tij, duke përfshirë politika dhe vendime në fusha që variojnë nga siguria kufitare dhe ekonomia, te politika e jashtme dhe çështjet sociale.
Lista e publikuar në Truth Social pason një seri komunikimesh të administratës amerikane që kanë nxjerrë në pah atë që Shtëpia e Bardhë i konsideron rezultatet kryesore të presidencës së Trumpit.
Ndërkohë, publikimi i listës vjen në një periudhë të rëndësishme politike në SHBA, përpara zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, kur të dyja partitë do të garojnë për kontrollin.


