Prokuroria e qytetit zviceran të Lucernës ka hapur një hetim penal ndaj Granit Xhakës, kapiten iKombëtares së Zvicrës dhe futbollist i Sunderlandit në Angli, nën dyshimin se gjatë pandemisë ai kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër koronavirusit.
Në hetim është përfshirë gjithashtu edhe një mjeke nga Lucerna, e cila dyshohet se ka lëshuar certifikata vaksinimi pa kryer në të vërtetë vaksinimet përkatëse. Policia zvicerane bastisi klinikën e saj në vitin 2023 dhe sekuestroi prova në kuadër të hetimeve që përfshinin disa persona, të cilët dyshohej se kishin siguruar certifikata vaksinimi kundër COVID-19.
Sipas raportimeve të medieve zvicerane, të cituara nga gazeta gjermane “Bild”, hetimi përqendrohet te pyetja nëse Xhaka kishte siguruar një certifikatë që dëshmonte se ishte vaksinuar kundër koronavirusit, pavarësisht se nuk e kishte marrë vaksinën.
Prokuroria e Lucernës ka konfirmuar se procedurat hetimore kanë nisur si ndaj Xhakës, ashtu edhe ndaj mjekes. Autoritetet synojnë të përcaktojnë nëse është kryer ndonjë vepër penale, qoftë përmes sigurimit të një dokumenti zyrtar të pasaktë, qoftë përmes falsifikimit të dokumenteve të lidhura me certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit.
Xhaka pritet të paraqitet para Prokurorisë Publike në fillim të tetorit për të dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen.
Zëdhënësi i futbollistit ka insistuar se Xhaka do të jetë plotësisht dhe në mënyrë transparente në dispozicion të autoriteteve. Ai i është referuar edhe një certifikate të lëshuar nga mjekja në fjalë, e cila, sipas tij, konfirmon se Xhaka ishte vaksinuar zyrtarisht.
Edhe mjekja i ka mohuar akuzat. Avokati i saj ka deklaruar se klientja e tij këmbëngul se e ka vaksinuar Xhakën dhe se të gjitha procedurat janë kryer në përputhje me rregullat në fuqi.
Xhaka kishte deklaruar më herët se e kishte marrë vaksinën kundër koronavirusit. Në vitin 2021, ai ishte infektuar me virusin dhe kishte munguar në një nga ndeshjet e Zvicrës.
Çështja mbetet ende nën hetim. Si Granit Xhaka, ashtu edhe mjekja gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga drejtësia.
© SYRI.net
Bratu para Egnatias: Duhet të tregojmë çfarë kemi mësuar nga Dinamo
Ndryshim në listën e Kosovës, Rrudhani dëmtohet në stërvitje
Telefonata Cardinale-Amorim, zbardhen kërkesat e presidentit të MilanitBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: