68-vjeçari Hysni Patushi, i arrestuar për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, është marrë në pyetje nga grupi hetimor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.
Gjatë dëshmisë së tij para autoriteteve, Patushi ka deklaruar se mes tij dhe bashkëshortes kishte pasur konflikte herë pas here. Sipas tij, shkak për debatet ishte edhe fakti që gruaja qëndronte në shtëpinë e vajzës së tyre dhe jo në banesën ku jetonin së bashku.
68-vjeçari ka thënë se i kishte kërkuar bashkëshortes të kthehej në banesën e tyre, por ajo nuk kishte pranuar.
Sipas dëshmisë së tij, paraditen e ngjarjes ai e kishte telefonuar Lumturien dhe ajo i kishte thënë se ndodhej pranë TEG-ut. Patushi ka deklaruar se më pas kishte shkuar në banesën e vajzës, ku e kishte gjetur bashkëshorten.
Sipas versionit të dhënë prej tij, gjatë debatit situata ka përshkallëzuar dhe ai e ka goditur me thikë.
“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, citohet të ketë deklaruar 68-vjeçari para grupit hetimor.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20 në një banesë në rrugën “Panorama”, në zonën pas shkollës “Harry Fultz”. Pas plagosjes, Lumturie Patushi u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe nipi 14-vjeçar i çiftit dhe dhëndri i tyre. Ky i fundit është shoqëruar nga Policia për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Pas krimit, Hysni Patushi është larguar nga vendngjarja. Policia vijoi kërkimet për disa orë, deri në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa dëshmia e 68-vjeçarit do të jetë pjesë e hetimit për përcaktimin e dinamikës dhe shkaqeve të konfliktit që përfundoi me vrasjen e bashkëshortes së tij.

