
Gjermania përballet të dielën me dy beteja të rëndësishme elektorale në Berlin dhe Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore. Megjithëse votojnë në të njëjtën ditë, shqetësimet e qytetarëve në këto dy lande janë shumë të ndryshme.
Në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, ekonomia u rrit me 1,4% gjatë vitit 2025, një nga normat më të larta mes landeve gjermane. Megjithatë, zhvillimi ekonomik nuk ka zbutur plotësisht pakënaqësitë që lidhen me çmimet e energjisë, karburantet dhe koston e jetesës.
Gara kryesore zhvillohet mes Partisë Socialdemokrate të kryeministres Manuela Schwesig dhe partisë së djathtë AfD. Sondazhi i fundit i ZDF-së e nxjerr SPD-në me 37%, vetëm një pikë përpara AfD-së, ndërsa CDU-ja rrezikon një rezultat historikisht të ulët me rreth 6%. Rreth 21% e të anketuarve deklarojnë se ende nuk e kanë vendosur votën. ZDF
Ndërkohë, në Berlin debati elektoral dominohet nga kriza e strehimit. Qiratë e shpallura janë pothuajse dyfishuar që prej vitit 2014, ndërsa qytetit i nevojiten rreth 211 mijë banesa të reja deri në vitin 2040. Reuters
E Majta propozon kontroll më të rreptë të qirave, shtim të banesave sociale dhe kufizime për apartamentet që përdoren për qëndrime turistike. AfD-ja, nga ana tjetër, e lidh krizën me emigracionin, ndërsa partitë e tjera ndahen mbi mundësinë e ndërtimeve të reja në hapësirën e ish-aeroportit Tempelhof.
Sondazhet e fundit e nxjerrin të Majtën forcën e parë në Berlin me rreth 22%, të ndjekur nga CDU-ja me 20%, AfD-ja me 18%, të Gjelbrit me 15% dhe SPD-ja me 12%. Për shkak të fragmentimit politik, krijimi i qeverive të reja në të dy landet mund të kërkojë koalicione mes disa partive.
Rezultatet pritet të ndikojnë edhe në politikën kombëtare, pasi zgjedhjet konsiderohen një provë e rëndësishme për kancelarin Friedrich Merz dhe CDU-në e tij, në një periudhë kur AfD-ja po zgjeron mbështetjen në lindje të Gjermanisë./Versus.al

