MAGAZINË /

“Po shkoj 80 vjeç dhe ende më thonë vëllai i Vaçe Zelës”, rrëfimi emocional i Hysni Zelës

Shkruar nga Versus

“Po shkoj 80 vjeç dhe ende më thonë vëllai i

Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Hysni Zela, ka ndarë kujtime të veçanta nga fëmijëria dhe marrëdhënia me motrën e tij, divën e muzikës shqiptare, Vaçe Zela.

I ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, artisti u kthye pas në kohë, duke treguar vështirësitë ekonomike me të cilat u përball familja e tij në Lushnjë. Në atë periudhë, Vaçe Zela ndodhej në Tiranë dhe dëshironte që familja t’i bashkohej në kryeqytet.

“Ishte një fëmijëri shumë e varfër, megjithatë si të gjithë të tjerët në atë kohë. Vaçja ishte më e madhe, ishte në Tiranë në gjimnaz. Dëshira e saj ishte që ne të shkonim në Tiranë, ndërsa prindërit tanë nuk donin”, kujtoi Hysni Zela.

Ai tregoi se ishte 14 vjeç kur u zhvendos në Tiranë dhe nisi të këndonte së bashku me motrën. Sipas tij, Vaçe Zela ishte shumë kërkuese dhe nuk ngurronte ta korrigjonte për mënyrën e interpretimit dhe paraqitjen në skenë.

“Vaçja gjithë jetën ka qenë e suksesshme… unë isha 14 vjeç kur erdha në Tiranë. Kur nisa të këndoj me të, ajo më bënte natyrisht vërejtje. Por vërejtjet e saj ishin… hajde t’i bëj. Nuk ishte e thjeshtë. Ajo kërkonte shumë gjëra. Më thoshte: ‘Pse e bën fytyrën kështu?’. Unë i thoja: ‘Si ta bëj, mor aman?’. Rrija, rrija dhe i thoja: ‘E di që të kam frikë unë kur flet ti kështu?’”, rrëfeu artisti.

Megjithëse ka ndërtuar një karrierë dhe identitet të vetin artistik, Hysni Zela pranoi se edhe sot vazhdon të prezantohet shpesh si vëllai i Vaçe Zelës. Ai tha se kjo lidhje e bën krenar, por nuk e fshehu as humorin për faktin se emri i tij lihet shpesh në plan të dytë.

“Unë po shkoj 80 vjeç dhe ende më thonë ‘vëllai i Vaçe Zelës’. Unë e kam për krenari, por them: ‘Si nuk thanë njëherë Hysni Zela?’”, u shpreh ai duke buzëqeshur.

Në fund, këngëtari foli edhe për anën njerëzore të së motrës, duke e kujtuar si një grua bujare, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshme për t’u kujdesur për familjen.

“Vaçja ishte e jashtëzakonshme, një njeri i jashtëzakonshëm, njeri që ndihmonte. I ndihmonte prindërit, përderisa na pruri në mes të Tiranës në atë kohë. Dilte, bënte pazarin e çdo gjë e bënte ajo”, përfundoi Hysni Zela.

Poll