Është një nga figurat që shfaqet më shpesh në hijen e Vladimir Putinit, por për jetën e tij personale dihet shumë pak. Anton Afinogenov, pjesëtar i Shërbimit të Sigurisë Presidenciale ruse (SBP), është kthyer së fundmi në një figurë të komentuar në rrjetet sociale, kryesisht për fizikun e tij imponues dhe praninë e vazhdueshme pranë presidentit rus.
Disa përdorues të rrjeteve sociale e kanë pagëzuar me nofkën “agjenti 007” i Putinit, ndërsa janë krijuar edhe faqe fansash që e përshkruajnë si “AA” apo “Handsome Anton”. Mediat ndërkombëtare kanë vënë në dukje se, pavarësisht ekspozimit të tij të vazhdueshëm pranë liderit rus, të dhënat publike për Afinogenovin mbeten jashtëzakonisht të kufizuara.

Dossier Center, në një hetim të publikuar në mars 2025 mbi njerëzit që përbëjnë rrethin e sigurisë së Vladimir Putinit, identifikoi 33 truproja që e shoqëruan presidentin rus gjatë udhëtimeve në vitin 2024. Bazuar në arkivat fotografike zyrtare të Kremlinit, Afinogenov ishte mes nëntë truprojave që shfaqeshin më shpesh pranë Putinit gjatë udhëtimeve të tij.
Në fotografitë e publikuara nga Kremlini, ai është dokumentuar pranë Putinit prej vitesh. Dossier Center e identifikon, ndër të tjera, në korridoret e samitit të APEC-ut në nëntor 2017. Raportime të tjera mediatike e gjurmojnë praninë e tij pranë presidentit rus edhe më herët.

Ndryshe nga disa prej kolegëve të tij, për të cilët hetuesit e Dossier Center arritën të gjenin gjurmë të ndryshme biografike, për Afinogenovin janë zbuluar shumë pak të dhëna. Mosha, vendlindja, arsimi dhe detajet e karrierës së tij nuk janë bërë publikisht të njohura në mënyrë të verifikueshme.
Ajo që bie më shumë në sy është fiziku i tij. Mediat që kanë shkruar së fundmi për të e përshkruajnë si një person me trup shumë muskuloz dhe peshë mbi 100 kilogramë. Pamja e tij ka bërë që në rrjetet sociale të krahasohet me personazhe të filmave aksion dhe të cilësohet si një “super ushtar”.
Por misteri rreth tij ka ushqyer edhe teori shumë më të pazakonta. Në internet janë shfaqur pretendime se fiziku dhe aftësitë e Afinogenovit mund të lidhen me programe sekrete të “përmirësimit bioteknologjik” të ushtarëve. Megjithatë, nuk ka prova publike që e lidhin atë me ndonjë program të tillë, ndaj këto pretendime mbeten në nivelin e spekulimeve të rrjeteve sociale.

Edhe mënyra se si funksionon ekipi i sigurisë së Putinit mbetet e mbështjellë me sekret. Sipas Dossier Center, Shërbimi i Sigurisë Presidenciale është një strukturë kyçe brenda Shërbimit Federal të Mbrojtjes (FSO), ndërsa truprojat që udhëtojnë me presidentin përzgjidhen dhe trajnohen për detyra të posaçme. Hetimi përshkruan një sistem sigurie ku truprojat përdorin komunikime radio, udhëtojnë me avionin presidencial dhe janë pjesë e një skeme shumë të gjerë mbrojtjeje.
Përmasat e këtij sistemi janë të konsiderueshme. Dossier Center raporton se në mbrojtjen e Putinit gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve të tij përfshihen dhjetëra persona, mes tyre truproja të trajnuar për luftim trup më trup, snajperë, forca speciale, specialistë me qen dhe zhytës. Destinacionet ku shkon presidenti kontrollohen paraprakisht, ndërsa siguria shtrihet edhe te transporti dhe rezidencat presidenciale.

Vetë Afinogenov duket se është pjesë e një grupi shumë të ngushtë njerëzish që kanë fituar besimin e nevojshëm për të qenë pranë presidentit rus në udhëtimet e tij. Fakti që emri i tij u identifikua vetëm pas analizimit të arkivave fotografike dhe të dhënave të tjera tregon nivelin e lartë të fshehtësisë që rrethon këtë strukturë.
Ndërkohë, popullariteti i tij në internet duket se po rritet. Fotografitë e truprojës me fizikun karakteristik pranë Putinit kanë nxitur komente dhe faqe fansash, duke e kthyer një pjesëtar të një prej strukturave më të mbyllura të sigurisë ruse në një personazh të njohur në rrjetet sociale.
Por, pavarësisht gjithë vëmendjes, Anton Afinogenov mbetet një figurë e rezervuar. Përtej fotografive zyrtare, emrit të identifikuar nga hetimet e Dossier Center dhe rolit të tij si pjesëtar i SBP-së, pjesa më e madhe e jetës së tij mbetet e panjohur. Pikërisht ky kombinim mes pranisë së vazhdueshme pranë Putinit dhe mungesës së informacionit personal ka ushqyer imazhin e tij si “agjenti 007” misterioz i presidentit rus.

