Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka lajmëruar se po përgatitet për protestë në qendrën e diplomacisë botërore pas vendimit të Hagës për të dënuar me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.
Përmes një njoftimi zyrtar, platforma “Liria ka Emër” bëri të ditur se organizatat shqiptaro-amerikane kanë thirrur një protestë përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në New York. Tubimi pritet të mbahet ditën e martë, më 22 shtator, në orën 18:00.
Sipas organizatorëve, kjo protestë synon të ndërgjegjësojë opinionin ndërkombëtar dhe udhëheqësit botërorë të cilët ndodhen në New York për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se mbi atë që ata e konsiderojnë si një përpjekje për të dëmtuar dhe njollosur luftën e pastër çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Liria ka emër”, u ka bërë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve që jetojnë në SHBA, t’i bashkohen tubimit masiv, për të treguar solidaritet me ish-krerët e UÇK-së. Kujtojmë se më 16 shtator u dënuan me një total prej 81 vitesh burg për krime lufte, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi me 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg, vendim që pritet të Apelohet. Kundër këtij vendimi po protestohet prej 4 ditësh edhe në Prishtinë.
