LIVE UPDATES
Ekonomi

Vera 2026 rriti numrin e turistëve, por shtoi pikëpyetjet

Në të njëjtën kohë, shërbimi më i dobët, mungesa e stafit të kualifikuar, trafiku dhe infrastruktura mbeten ndër problemet më të dukshme të sezonit. Çmimet dhe raporti me cilësinë po ndikojnë gjithashtu në sjelljen e turistëve, sidomos në Jug.

20 Shtator 2026, 07:20 Nga G.M
Vera 2026 rriti numrin e turistëve, por shtoi pikëpyetjet
foto ilustruese


TIRANA- Vera 2026 po sjell më shumë turistë, por operatorët ngrenë pikëpyetje sesa kjo rritje do të përkthehet në të ardhura më të larta. Vizitorët po bëjnë rezervime të momentit të fundit, po qëndrojnë më pak dhe po tregohen më të kujdesshëm me shpenzimet. Në të njëjtën kohë, shërbimi më i dobët, mungesa e stafit të kualifikuar, trafiku dhe infrastruktura mbeten ndër problemet më të dukshme të sezonit. Çmimet dhe raporti me cilësinë po ndikojnë gjithashtu në sjelljen e turistëve, sidomos në Jug. Në sfond, vonesa e Aeroportit të Vlorës ka lënë pezull plane dhe kontrata për turizmin e organizuar.

Ndryshe nga sa nisi, sezoni veror i këtij viti po mbyllet me një tablo pozitive për turizmin. Pas një qershori të zbehtë, flukset e të huajve që hynë në vend në korrik dhe gusht, e me shumë gjasa edhe në shtator, kanë shfaqur rritje të qëndrueshme.

Zgjatja e sezonit deri në 10-ditëshin e parë të tetorit sikurse konfirmohet nga operatorët turistikë është një tjetër tregues se Shqipëria po vazhdon të mbajë ritmin, duke mbetur në radarin e vizitorëve. Kontratat me garanci për turizmin e organizuar të vitit 2027 janë mbyllur me rritje në volum dhe çmim. Por pas rritjes së numrave, industria po ngre pikëpyetje mbi problemet që këtë vit ishin më të dukshme se një vit më parë.

“Ecuria deri tani është e mirë. Nëse flasim për numrat, ka një rritje”, thotë kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa. Sipas tij, vetëm fundi i sezonit mund të tregojë se çfarë vlere ka sjellë kjo rritje.

“Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë kjo në të ardhura, pra nëse do të kemi më shumë të ardhura se vitin e kaluar dhe sa do të jetë kjo rritje.”

Edhe Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, e konsideron sezonin të mirë nëse ndalemi vetëm në sipërfaqe të shifrave.

Por ajo që i bie më shumë në sy është ndryshimi në sjelljen e klientëve që po shfaqet në disa tendenca sipas tij. Një pjesë e tregjeve po rezervojnë gjithnjë e më vonë. “Rezervojnë në momentin e fundit dhe kjo vërehet shumë qartë në të gjitha tregjet perëndimore. Çekia, Gjermania dhe tregje të tjera e kanë këtë tendencë, ndërsa Franca është disi më e organizuar dhe rezervon më herët.”

Ndryshimi i dytë lidhet drejtpërdrejt me shpenzimin. “Hezitojnë të konsumojnë. Dikur kanë qenë shumë më mirë sa u përket shpenzimeve”, thotë z. Kotherja.

Z. Kasa sheh një profil të ngjashëm. Sipas tij, pjesa më e madhe e turistëve që po vizitojnë Shqipërinë vazhdojnë t’i përkasin kategorisë me fuqi të mesme ose të ulët shpenzuese.

“Nuk e kemi ende atë luks që të kemi një profil turistësh me fuqi të lartë shpenzuese”, thotë ai. Sipas vlerësimit të tij, “60 për qind ose më shumë janë turistë ‘low cost’, pra turistë me buxhet të ulët, që duan të shpenzojnë pak”.

Një pjesë e tyre janë udhëtarë që kërkojnë destinacione të reja dhe që e zgjedhin Shqipërinë edhe për shkak të kostos. “Kjo është ajo kategori turistësh që nuk do të shpenzojë shumë, sepse përparësi ka eksplorimin me një kosto sa më të ulët”, thotë z. Kasa.

Tendenca për të kontrolluar shpenzimet shihet edhe në mënyrën e qëndrimit. Z. Kotherja vëren rritje të akomodimit në apartamente dhe shtëpi private dhe një përdorim më të madh të formulës “self-catering”.

“Këtë vit të huajt vijnë dhe qëndrojnë më pak. Ka vazhduar të rritet akomodimi privat, pra apartamentet dhe shtëpitë në platforma si Booking apo Airbnb, si dhe ‘self-catering’, pra ushqimet që blihen në supermarket dhe gatuhen në shtëpi.” Sipas tij, një pjesë e kësaj sjelljeje lidhet me raportin mes çmimit dhe cilësisë.

“Kjo ka ardhur si efekt i çmimeve, të cilat në disa raste nuk bëjnë sens në raport me cilësinë.”

Shërbimi, pika e dobët e sezonit

Nëse rritja e numrit të turistëve është pjesa pozitive e bilancit, cilësia e shërbimit është një nga shqetësimet që bashkon më qartë vlerësimet që mbizotërojnë në këtë sezon si në rrjete sociale e platforma të pavarura të udhëtimit, edhe mes përfaqësuesve apo operatorëve të sektorit.

Kreu i Unionit Turistik e rendit shërbimin ndër problemet kryesore që raportohen nga turistët dhe agjencitë e huaja. “Shërbimet lënë për të dëshiruar dhe kjo ka bërë punën e vet në vlerësimet që marrim nga të huajt, sidomos në rrjetet sociale apo nëpër platforma”, thotë ai.

Sipas tij, problematika është veçanërisht e lidhur me mungesën e stafit të kualifikuar. “Mungesa e stafit të kualifikuar në këtë sektor është një problem shumë i madh, që na penalizon.”

Z. Kotherja është po aq i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij për sezonin. “Nga eksperienca ime, këtë vit mendoj se shërbimi ka çaluar.” Ai e lidh këtë me presionin e kostove mbi bizneset.

Kur shpenzimet rriten, sipas tij, bizneset gjenden përballë zgjedhjes për të kursyer ose te produkti, ose te stafi. “Për të mbijetuar, të duhet të çalosh ose në cilësinë e produktit, ose në staf. Por kjo nuk është zgjidhje.”

Problemi i punonjësve, sipas z. Kotherja, nuk kufizohet vetëm te mungesa në numra. Ai e sheh atë edhe si çështje të produktivitetit dhe të raportit mes aftësisë dhe pagës. Mungesa e fuqisë punëtore gjatë viteve të fundit, sipas tij, ka ushtruar presion të fortë mbi pagat, përfshirë edhe ato të punonjësve pa kualifikimin e nevojshëm.

“Kjo mangësi që kemi pasur ka shkaktuar rritje të pagave edhe për punonjës të pakualifikuar, pra këta të fundit janë mbiçmuar, duke e futur sektorin në një rreth vicioz pa zgjidhje”, thotë ai.

Për një industri ku kontakti i drejtpërdrejtë me klientin është pjesë e produktit, problemet e stafit reflektohen menjëherë tek eksperienca e turistit. Z. Kotherja e lidh këtë edhe me disiplinën, përgjegjësinë dhe mënyrën se si organizohet puna. Sipas tij, disa struktura turistike tashmë po orientohen drejt punonjësve të huaj.

“Do të vijë momenti kur të huajt në hotele do të dominojnë si fuqi punëtore. Kjo nuk shmanget”, thotë ai. “Ka aktualisht struktura që nuk duan të punojnë me shqiptarë, për shkak të disiplinës, rregullit dhe përgjegjësisë.”

Një mundësi për të zbutur mungesën e punonjësve, sipas tij, mund të vijë nga marrëveshjet për punësimin e shtetasve nga vendet aziatike. “Ka një shpresë dhe një dritë në fund të tunelit që lidhet me fuqinë punëtore pas disa marrëveshjeve me vendet e Azisë të cilat mund të sjellin një fuqi punëtore të kualifikuar.”

Z. Kotherja ngre gjithashtu një problem tjetër që, sipas tij, lidhet me profesionalizimin e industrisë: përdorimin e teknologjisë. “Kjo industri duhet automatikisht të digjitalizohet”, thotë ai, duke theksuar se një pjesë e menaxherëve vazhdojnë ta shohin teknologjinë më shumë si barrë sesa si mjet për rritjen e produktivitetit.

Për z. Kasa, pasojat e dobësive në shërbim shfaqen në vlerësimet që turistët lënë në platforma. Dhe në bregdet, ku presioni i flukseve është më i madh, ky problem bëhet më i dukshëm. “Në Shqipëri nuk është vetëm fluksi apo menaxhimi. Problem janë edhe shërbimet, të cilat lënë për të dëshiruar.”

Trafiku, infrastruktura dhe çmimet

Në listën e problemeve të sezonit, infrastruktura dhe trafiku zënë një vend të rëndësishëm. Z. Kasa i rendit ato mes dy shqetësimeve kryesore të përcjella nga agjencitë e huaja.

“Dy janë përshtypjet kryesore negative: e para është infrastruktura dhe e dyta, trafiku tepër i rënduar në rrugët tona”, thotë ai.

Në raste të caktuara, trafiku ka sjellë vonesa të konsiderueshme edhe në distanca relativisht të shkurtra. “Gjatë kësaj vere na është dashur që, nga Aeroporti i Tiranës deri në Golem, të bëjmë transferta që kanë zgjatur edhe katër orë apo katër orë e gjysmë”, thotë z. Kasa.

Këto transferta, sipas tij, lidhen me turistët e organizuar që mbërrijnë me fluturime charter. Z. Kotherja e konsideron problemin më të përqendruar në disa segmente të caktuara. Ai veçon aksin Tiranë-Elbasan, i cili sipas tij penalizon Juglindjen, si dhe segmentin Milot-Lezhë, që rëndon lëvizjen drejt Veriut.

“Në pjesën tjetër nuk ka qenë shumë keq. Kuptohet që, në sezon, flukset rriten dhe mund të ketë edhe trafik, por infrastruktura në vetvete nuk mund të them se është problem. Trafiku në disa segmente, po.”

Në Jug, problemet e aksesit kombinohen edhe me presionin e ndërtimeve dhe çmimeve. Z. Kasa vëren se, krahasuar me Durrësin, bregdeti i Jugut vijon të marrë vlerësime më të dobëta. “Durrësi është më mirë, ndërsa Jugu është më keq. Edhe infrastruktura në Jug është më e rënduar, diçka që e penalizon.”

Një problem tjetër janë kantieret e ndërtimit në zonat turistike. “Në Jug, por edhe në bregdet në përgjithësi, problem mbeten kantieret dhe vinçat mbi kokën e pushuesve, diçka që nuk na jep pikë pozitive”, thotë z. Kasa.

Ndërkohë, z. Kotherja e sheh rritjen e çmimeve si një nga çështjet që mund të ndikojë më shumë te konkurrueshmëria. Ai e lidh atë me zhvlerësimin e euros dhe rritjen e kostove të biznesit. “Kur euro zhvlerësohet, e gjithë industria fillon të rrisë çmimet dhe harron se një pjesë shumë e madhe e klientëve në vend janë ata që paguajnë në euro, përfshirë edhe klientët nga Kosova.” Sipas tij, kjo po i bën turistët më të kujdesshëm dhe po rrit mundësinë që ata të zgjedhin destinacione alternative. “Klientët duan më të lirën dhe Shqipëria nuk është më edhe aq e lirë.”

Nga ana tjetër, z. Kasa e konsideron rritjen mesatare të çmimeve të moderuar dhe të lidhur me kostot. “Çmimet kanë pasur rritje të lehtë dhe ka qenë një rritje e pranueshme në kushtet e rritjes së kostove”, thotë ai, duke bërë të qartë se nuk u referohet rasteve individuale ku mund të ketë abuzime.

Por në zona të veçanta të Jugut, z. Kotherja sheh një problem më të fortë. Duke iu referuar Dhërmiut, ai thotë se çmimet e larta kanë kufizuar praninë e klientëve të huaj. “Kam qenë vetë në Dhërmi dhe nuk ka klientë të huaj aq sa pritej, sepse çmimet janë shumë të shtrenjta. Një i huaj nuk paguan në afatgjatë çmime prej 400 eurosh/nata.”

Një sezon me rritje por edhe me pikëpyetje

Përtej problemeve të sezonit, pritshmëritë për vijimësinë e sektorit të turizmit mbeten relativisht pozitive. Kasa thotë se kontratat e turizmit të organizuar për vitin e ardhshëm janë mbyllur me rreth 10% rritje si në volum, ashtu edhe në çmim. Polakët vazhdojnë të kryesojnë, të ndjekur nga çekët, ndërsa ai vëren rritje edhe nga tregu francez.

Edhe rezervimet e vjeshtës paraqiten mirë. “Turizmi i vjeshtës mendoj se do të jetë mirë, pasi që tani rezervimet janë në nivele të kënaqshme”, thotë z. Kasa.

Ndërsa z. Kotherja konfirmon rritjen për vjeshtën, megjithëse thekson se presioni i kostove vazhdon. Ai sheh gjithashtu ndryshim të interesit të turistëve drejt eksperiencave dhe destinacioneve jashtë modelit tradicional të detit dhe rërës.

“Të huajt priren të shpenzojnë për eksperienca. Më pak për ushqim dhe më shumë për eksperienca”, thotë ai.

Në këtë drejtim, Berati, Gjirokastra dhe Veriu po marrin vlerësime të mira, ndërsa z. Kasa thotë se edhe Veriu kur flasim për bregdetin ka shënuar rritje të numrit të turistëve, pavarësisht se sezoni atje mbetet më i shkurtër.

Shqipëria, sipas tij, vazhdon të përfitojë edhe nga disa elemente që turistët i vlerësojnë pozitivisht: “kulinaria, mikpritja dhe natyra”./Monitor.al

turizmi shqiperi

Sondazh

Poll

Akuzat për falsifikim të dokumenteve, tjetër masë për ish-drejtorin e Kadastrës Fier e dy të tjerë

Akuzat për falsifikim të dokumenteve, tjetër masë për ish-drejtorin e Kadastrës Fier e dy të tjerë

Berisha: Ministrja e re e Shëndetësisë është thjesht një kukull në duart e zeza të Surrelit

"Është mik i ngushtë me kreun e SPAK"/ Berisha: Demo është i gatuar me bandat me të rrezikshme

Vendimet e Gjykatës Speciale/ Berisha: Asgjë nuk e nxin luftën Çlirimtare të Kosovës

Berisha zbulon angazhimin e diasporës: Janë të gatshëm për të mbështetur përpjekjet e opozitës

I moshuari godet me thikë gruan, humb jetën në spital. Shoqërohet dhëndëri i tyre në Polici

Berisha: Bajram Begaj ka plaçkitur prona dhe i ka ndarë me Ramën, atë e kap gjyqi ushtarak

Prishtina proteston për vendimin e Hagës, djali i Thaçit e Veselit mes protestuesve

Dita e 111-të e protestës/ Mbyllen fjalimet, nis marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës

Protesta në Tiranë/ Nis marshimi drejt Kryeministrisë, thirrje: Jepe dorëheqjen

Rama: Euro e dobët, duhet reflektim te çmimet

Zjarr në sektorin Rinia në Durrës, banorët dhe zjarrfikësit në luftë me flakët

Rama takime me furnitorë: Po fitoni më shumë se ç’e mban zakoni i mirë

Djali i Jakup Krasniqit: Nuk dorëzohemi, ajo që ndodhi në Hagë prek sakrificën e çdo dëshmori

Djali i Kadri Veselit: Nuk e kemi humbur besimin te bota perëndimore dhe drejtësia e tyre

Përfshihet nga flakët një automjet në një parkim nëntokësor në Fier, policia nis hetimet

Shkuan në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, 50 veteranët mbërrijnë në Portin e Durrësit

Ndizen tensionet në Prishtinë para protestës/ Policia kërkon dokumentet e identifikimit të...

Pagat e magjistratëve/ Rama: Gjykata Kushtetuese nuk i dikton Kuvendit si të votojë

Rama për pagat e magjistratëve: Askush nuk mund t’i diktojë Kuvendit kur të mblidhet

Rama: Lëvizjet e koordinuara mes shoqatave dhe gjyqësorit dëmtojnë Republikën e Shqipërisë

"SPAK dhe GJKKO janë dy suksese të reformës në drejtësi"/ Rama: KLP dhe KLGJ kanë falimentuar

Rama për opozitën: Të të përzënë nga protesta quhet “amanet mushkat, se kuajt ikën”

“Çështja Becchetti”/ Rama: E ka fituar arbitrazhin por do marrë zero lekë nga shteti shqiptar

Pagat e magjistratëve/ Rama: Të kërkosh rritje sa herë rriten pagat e të tjerëve është lajthitje

Rama për Gjykatën Kushtetuese: Detyra jote është të mos na lejosh ta ngremë dorën gabim...

Protesta e 110-të kundër qeverisë/ Qytetarët rrethojnë komisariatin nr.1, thirrje: Lironi çunat

Bardhi:Kompania që u kap me41kilogramë kokainë, përfitojë nga Qeveria1milion euro nga fondet e IPARD

Diskutimet për pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama i bashkohet seancës në Kuvend

Marshim i protestuesve/ Policia bllokon hyrjet që të çojnë drejt Kuvendit

Tensione në Kuvend/ Balla- Muçit: E ke ndarë mandatin përgjysmë me Qorin

Dita e 110-të e protestës/ Nis marshimi i protestuesve në rrugët e Tiranës

U përplas me protestuesit, Luarasi: Në 730 komente kërkohej pushkatimi ose varja në litar

“Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te IA"/ Korreshi ironizon qeverinë

Protesta qytetare në Tiranë/ Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë, thirrje

“E qepi gojën”! Berisha për Ramën pas vendimit të Hagës: I futi thikën pas shpine Kosovës

“KAYO skandal i paparë”/ Berisha: Bëhet trafik armësh, e shëmtuar për një vend të NATO-s

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/ Spiropali: UÇK u ngrit për të mbrojtur gratë e dhunuara

Balla akuzon Berishën: Takove rusin që hartoi raportin kundër UÇK-së, punove kundër Hashim Thaçit

Vendim i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/ Kuvendi i Shqipërisë del me deklaratë të përbashkët

"Evis Sala ka qenë studiuese e rrallë"/ Berisha lavdëron ish-Ministren, thirrje Spahiut...

Përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve, policia shoqëron dy të mitur

Berisha në Kuvend: Jeni bërë ushtarë të Padronit dhe Yeffet-it, po i jepni paratë kompanisë së Ramës

Balla: Të shtyjmë deklaratën e përbashkët për “Hagën” se mungon Agroni?!

Zhupa: Rama shkoi me avion special në Kosovë dhe kërkoi votën për Gjykatën Speciale

Pagat e magjistratëve/ Bardhi: Nuk mund të tallemi me pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve

Spahiu bën premtimin në Kuvend: Në janar 2027 do të jetë në Onkologjik

Protestuesit përplasen me policinë, shoqërohet Dritan Goxhaj

Vijojnë tensionet në protestë, qytetarët përmbysin kazanët e mbeturinave para selisë së PD

Protestuesit përplasen me efektivët, policia i’u bën thirrje qytetarëve: Lironi rrugën