Shqipëria do të përfshihet të dielën nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, me shtim të vranësirave dhe reshje shiu, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore në lindje të vendit.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita do të nisë me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa nga orët e mesditës pritet shtim gradual i vranësirave. Gjatë mesditës dhe pasdites, vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura në një pjesë të konsiderueshme të vendit.
Në zonat lindore, veçanërisht në relievet kodrinore dhe malore, vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Në intervale të shkurtra, reshjet mund të shoqërohen edhe me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim, me shpejtësi mesatare deri në 8 m/s, ndërsa në hapësirat detare pritet valëzim i forcës 1-2 ballë.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, paqëndrueshmëria atmosferike do të bëhet më e dukshme gjatë orëve të pasdites, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore të lindjes së vendit.
Për pjesën tjetër të territorit, kushtet atmosferike pritet të jenë më të qëndrueshme, me vranësira që do të shtohen gradualisht gjatë ditës.

