Përshkallëzohet konflikti në Jemen! Huthitë sulmojnë me raketa dhe dronë Arabinë Saudite

Konflikti i gjatë mes rebelëve Huthi në Jemen dhe Arabisë Saudite ka marrë një tjetër kthesë, pas një vale të re sulmesh me raketa dhe dronë drejt territorit saudit.
Zëdhënësi ushtarak i rebelëve Huthi deklaroi se një numër i madh raketash balistike, raketash lundrimi dhe dronësh reaktivë u lëshuan drejt disa prej zonave më të ndjeshme të Arabisë Saudite. Sipas tij, objektivat kryesorë ishin kryeqyteti Riad dhe qyteti bregdetar i Yanbu-së, ku ndodhen objekte të rëndësishme të kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit, “Aramco”.
Huthitë e kanë cilësuar sulmin si përgjigje ndaj asaj që e përshkruajnë si “300 sulme ajrore” të kryera nga Arabia Saudite gjatë javës së fundit ndaj kryeqytetit jemenas, Sanaa.
Në Riad, shtëllunga të dendura tymi të zi u raportuan pranë rezervuarëve të karburantit në zonën e aeroportit ndërkombëtar, ndërsa autoritetet ngritën nivelin e sigurisë. Pas disa muajsh qetësie, në kryeqytetin saudit u dëgjuan sirenat e mbrojtjes ajrore dhe qytetarëve iu kërkua të qëndronin në banesa.
Autoritetet saudite nuk kanë dhënë ende një vlerësim zyrtar mbi dëmet e shkaktuara nga sulmet apo mbi ndërhyrjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Paralelisht me sulmet ajrore, luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në terren mes rebelëve Huthi dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite. Brenda 24 orëve raportohet për të paktën 48 viktima.




