Një 29-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Itali pasi Policia e Shtetit ka sekuestruar më shumë se 414 kilogramë hashash, të fshehura në disa ambiente të përdorura si depo në zonën mes Guidonia Montecelio dhe Romës.
Sipas hetuesve, nëse sasia e drogës do të hidhej në tregun e shitjes me pakicë, vlera e fitimeve të paligjshme mund të kalonte 4 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Seksionit VII Antidrogë të Skuadrës së Lëvizshme të Romës, të cilët kishin nisur të monitoronin lëvizjet e 29-vjeçarit.
I riu u kap në momentin kur po përpiqej të ngarkonte në bagazhin e automjetit të tij disa valixhe të mëdha. Kontrolli i tyre zbuloi 98 kilogramët e parë të hashashit.
Hetimi u zgjerua pas kontrollit të 29-vjeçarit, në posedim të të cilit policia gjeti një tufë çelësash. Verifikimet zbuluan se çelësat hapnin disa ambiente të tjera në zonën e Guidonias dhe Romës, të cilat dyshohet se përdoreshin për magazinimin e lëndës narkotike.
Në këto ambiente, policia zbuloi sasi të mëdha hashashi, si dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për peshimin dhe paketimin e drogës.
Një pjesë e konsiderueshme e lëndës narkotike ishte ruajtur brenda frigoriferëve, të përdorur si hapësira magazinimi. Krahas hashashit, hetuesit gjetën edhe shënime të shkruara me dorë, ku dyshohet se ishin regjistruar sasitë e drogës të magazinuara dhe të lëvizura.
Në përfundim të operacionit, sasia totale e hashashit të sekuestruar arriti në mbi 414 kilogramë, ndërsa u sekuestruan edhe materiale të tjera të dyshuara se përdoreshin për përgatitjen dhe paketimin e lëndës narkotike.
Për 29-vjeçarin shqiptar u bë arrestimi për veprën penale të posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin. Autoriteti Gjyqësor italian ka vleftësuar arrestimin dhe ka caktuar ndaj tij masën e arrestit në burg.
Hetimi i autoriteteve italiane vijon për të zbardhur tërësisht rrjetin e magazinimit dhe destinacionin e lëndës narkotike.

