
Një përplasje për kontrollin e trafikut të drogës dhe të territorit dyshohet se po zhvillohet në zonën e Vittorias, në provincën e Raguzës, në juglindje të Siçilisë.
Në qendër të tensioneve raportohet se ndodhen një grup vendas, i lidhur me Giovanni Gurrierin, dhe një rrjet shqiptar me prani në Vittoria, Santa Croce Camerina dhe përgjatë bregdetit.
Sipas një serie investigimesh të gazetarit italian Giuseppe Bascietto, të publikuara nga “Gli Stati Generali”, gjatë muajve korrik dhe gusht 2026 janë regjistruar kërcënime, agresione, djegia e një automjeti dhe një përleshje e dhunshme në një lokal.
Episodet paraqiten si pjesë e një tensioni të mundshëm mes grupeve që synojnë të kontrollojnë shpërndarjen e narkotikëve dhe aktivitetet e lidhura me të.
Një nga rastet e trajtuara është dhunimi i Denny Lalollarit. Sipas burimeve konfidenciale të cituara nga gazetari, ai është rrethuar dhe goditur me grushte e shkelma nga disa persona.
Agresioni dyshohet se ka shërbyer jo vetëm si ndëshkim ndaj tij, por edhe si paralajmërim për personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet marrëdhëniesh.
Investigimi nënvizon se nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar motivin e sulmit apo për ta lidhur atë drejtpërdrejt me të gjitha episodet e tjera.
Megjithatë, pas ngjarjes dyshohet se disa aktivitete, mjete dhe takime operative janë zhvendosur nga Vittoria drejt Comisos dhe Santa Croce Camerinas.
Këto zona konsiderohen strategjike për shkak të afërsisë me bregdetin, pranisë së magazinave, fermave, banesave të izoluara dhe rrugëve dytësore.
Sipas investigimit, këto kushte mundësojnë marrjen e ngarkesave nga deti, fshehjen e tyre dhe transportimin drejt brendësisë së territorit.
Në të njëjtën seri shkrimesh përmendet edhe një gomone e nisur nga Malta, e cila pësoi defekt pranë Casuzzes.
Në çantat e nxjerra nga deti raportohet se u gjetën rreth 700 mijë euro. Autori thekson se nuk ekzistojnë prova që e lidhin drejtpërdrejt këtë episod me Lalollarin apo me një organizatë të vetme kriminale, por rasti ka nxjerrë në pah rëndësinë e rrugës detare ndërmjet Maltës dhe Siçilisë.
Shqetësimet për rritjen e ndikimit të grupeve shqiptare në këtë pjesë të Siçilisë janë pasqyruar edhe nga media të tjera italiane.
“La Sicilia” ka raportuar për marrëdhënie mes kriminalitetit të zonës së Ipparinos dhe grupeve shqiptare, duke e përshkruar juglindjen e ishullit si një pikë gjithnjë e më të rëndësishme për trafikun ndërkombëtar dhe shpërndarjen e drogës drejt vendeve europiane.
Sipas “Avviso Pubblico”, në provincën e Raguzës dyshohet se është krijuar një bashkëpunim mes grupeve shqiptare dhe strukturave vendase të krimit të organizuar.
Pozicioni i Vittorias, rrjeti i transportit dhe lëvizja e kamionëve të sektorit agro-ushqimor e bëjnë territorin veçanërisht të favorshëm për lëvizjen dhe fshehjen e ngarkesave të paligjshme.
Gazetari Giuseppe Bascietto, i cili ka hetuar prej vitesh lidhjet mes kriminalitetit vendas dhe grupeve shqiptare, është vendosur nën mbrojtjen e policisë italiane pas kërcënimeve të marra për shkak të punës së tij./Versus.al

