Nuk ka dyshime se çështja e rregullimit të Inteligjencës Artificiale do të ngrihet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që punimet 7 ditore i nis të martën e 22 shtatorit, në Nju Jork.
Pas një sërë incidentesh dhe paralajmërimesh alarmuese nga shumë liderë, pritet që disa vende të mbështesin thirrjen e shefit të OKB-së, Antonio Guterres për “koordinim global” mbi IA-në. Mund të ketë nisma të tjera.
Nuk përjashtohet as një takim i posaçëm i Këshillit të Sigurimit lidhur me çështjen e përdorimit të saj.
Po ashtu, pas një vere të shënuar nga valë të nxehta e ngjarje ekstreme të motit, më 23 shtator, Guterres do të kryesojë një takim mbi veprimin klimatik. Në fokus edhe rritja e nivelit të detit, kërcënim ekzistencial për disa vende ishullore.
Prapa skenave, fuqitë e mëdha do të debatojnë për të ardhmen e OKB-së, ndërsa kërkojnë të bien dakord për një kandidat kompromisi për pasuesin e Antonio Guterres-it, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor 2026.
Nuk pritet përparim gjatë javës, megjithëse vendet me të drejtë vetoje mbi procesin si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund ta përdorin takimin për të nënshkruar një marrëveshje.
Shumë zëra po bëjnë thirrje që një grua të kryesojë Kombet e Bashkuara për herë të parë, teksa në garë janë pesë gra, dy më shumë se tre kandidatët burra.