Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar me autobus mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.
Të arrestuar janë shtetasit O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Operacioni policor u zhvillua në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër. Gjatë kontrollit të autobusit, policia zbuloi të fshehura 100 steka cigare dhe 22 695 euro.
Në bagazhin e autobusit u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu produkte mishi dhe deti, bulmet, medikamente, veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera që dyshohet se ishin futur në vend në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.













