Bota

Merz nën presion përballet me një tjetër goditje zgjedhore në Gjermani!

Kancelari gjerman, Friedrich Merz sot përballet me perspektivën e një tjetër dite të vështirë në zgjedhje, ndërsa dy lande (shtete federale) u drejtohen kutive të votimit, dy javë pasi partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) arriti fitore të bujshme në Saksoni-Anhalt.

Në Berlin dhe në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, votimet janë të fundit në një vit të ngjeshur me pesë zgjedhje në landet gjermane.

Këto zgjedhje evidentuan pakënaqësinë e gjerë publike ndaj qeverisë së koalicionit të Merzit, duke nxitur spekulime serioze mbi të ardhmen e kancelarit.

Procesi i votimit nisi më 08:00 dhe sondazhet në dalje të qendrave të votimit pritet të japin një tregues të parë të rezultatit, menjëherë pas mbylljes së qendrave në orën 18:00.

Dështimi i rëndë i CDU-së së Merzit u shënua në Saksoni-Anhalt në fillim të muajit.

AfD-ja arriti në gati 44% të votave, ndërsa CDU-ja ra në rreth 17%.

Brenda radhëve konservatore, kjo ka shtuar zërat për një “ndërrim kancelari”, rast i rrallë në politikën gjermane.

Merz mbetet i vendosur

Një poshtërim i mëtejshëm për CDU-në mund të ndodhë në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, ku partia po përpiqet me dëshpërim të shmangë rezultatin më të dobët në historinë e saj në zgjedhjet e landeve gjermane.

Merz ka bërë çmos për të shuar spekulimet rreth së ardhmes së tij.

Dorëzimi nuk është opsion për mua.

Megjithatë, si shenjë se është plotësisht i vetëdijshëm për atë që është në lojë, ai anuloi pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, për t’i lënë hapësirë ​​një analize postzgjedhore që mund të jetë e dhimbshme.

Gjithashtu, u shfaq dukshëm i heshtur gjatë fushatës zgjedhore në javët e fundit.

Deri tani, bilanci i kancelarit në pushtet nuk ofron shumë për t’u mburrur:

Ekonomia më e madhe e Evropës mbetet në stanjacion, në rastin më të mirë, më shumë se një vit pasi Merz mori detyrën. Ndërkohë, ai po has vështirësi në miratimin e reformave të diskutueshme, përfshirë të sistemit të pensioneve.

CDU-ja lufton për të mbajtur Berlinin

Po ashtu, në Berlin, partia e Merzit rrezikon të humbasë postin e kryetarit të bashkisë përballë “Të Majtës” (Die Linke), pasardhëse e Partisë Socialiste që qeveriste ish-Gjermaninë Lindore.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.