Prokurorja e Durrësit Pranvera Gruda, e cila aktualisht ushtron funksionin e Këshilltares Ligjore pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), e kaloi pa probleme procesin e Vetingut në nëntor të vitit 2023. Në vitin 2024, zonja Gruda ka blerë një apartament me sipërfaqe 143 m2, me vlerë 158 mijë euro, me burim të ardhura nga paga. Pagat e prokurores dhe bashkëshortit e justifikojnë apartamentin, por jo i zakonshëm është fakti që vajza e saj, Pamela Gruda ka përfituar rreth 75 mijë euro para publike, përmes niptit M12109030R, si person fizik.

Pagesat nga arka e shtetit i ka përfituar katër vitet e fundit nga Ministria e Turizmit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen e Startup-eve dhe Lehtësuesve për projekte kulturore, mbështetje për bizneset e gjelbërta dhe sipërmarrje inovative përmes idesë së startup-it Ample (M12109030R), me objekt veprimtarie kryesisht evente edukuese në sektorin mjekësor dhe farmaceutik.

Krahas parave publike, Pamela Gruda, përmes Ample, përfiton edhe të ardhura nga burime të tjera për evente formale mjekësore, pasi vajza e prokurores deklaron deri në 35 mijë euro fitim në vit. Referuar transaksioneve bankare, të ardhurat kryesore të Ample burojnë nga subjektet farmaceutike. Vlera e transaksioneve në raport me aktivitetet e realizuara, kryesisht konferenca mjekësore, ngre dyshime për mundësinë e një skeme të përbashkët evazioni fiskal, mashtrimi dhe pastrimi parash, përmes shpenzimeve të fryra dhe faturave fiktive.