Një ngjarje e rëndë ka tronditur paraditen e kësaj të diele qytetin e Sarandës, ku një 44-vjeçar është vrarë me armë zjarri, ndërsa një kalimtar ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave.
Viktima është identifikuar si Artan Myrtaj. Sipas të dhënave paraprake, 44-vjeçari ishte duke lëvizur në këmbë në zonën e ish-agjencisë së vjetër të qytetit, kur dyshohet se autorët i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij.
Autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Pas sulmit, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kontrollet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Nga të shtënat është plagosur edhe një kalimtar, i cili ndodhej rastësisht në zonën ku ndodhi atentati. Ai është transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera për gjendjen e tij shëndetësore.
Nga ana tjetër, viktima Artan Myrtaj rezulton të ketë qenë i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pas një rasti plagosjeje me armë në qytet.
Në atë kohë, Myrtaj ishte shpallur në kërkim si një prej personave të dyshuar për përkrahjen e autorëve të plagosjes me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt. Ngjarja e vitit 2025 dyshohet se kishte lidhje me një konflikt për një pronë në vijën bregdetare.
Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi vrasja dhe po punon për mbledhjen e provave, ndërsa janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar motivin e vrasjes.

