POLITIKË /

Rama propozon partneritet me komunitetet turistike: Fond për mbrojtjen e natyrës dhe parandalimin e dëmeve

Rama bëri të ditur se po shqyrtohet edhe krijimi i një fondi për mbështetjen e këtyre nismave vullnetare dhe pa qëllim fitimi.

Shkruar nga Versus
Rama propozon partneritet me komunitetet turistike: Fond për mbrojtjen e
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një nismë të re që synon përfshirjen e komuniteteve lokale dhe operatorëve turistikë në mbrojtjen e natyrës.

Gjatë podcastit “Flasim”, në një bisedë me përfaqësues nga Pogradeci dhe Komani, Rama tha se qeveria synon të krijojë partneritete mes Ministrisë së Mjedisit dhe komuniteteve që zhvillojnë veprimtari turistike në zona me pasuri të veçanta natyrore.

Sipas tij, fillimisht do të zhvillohen disa projekte pilot. Banorët dhe operatorët turistikë do të organizohen në shoqata ose këshilla të përbashkëta, duke marrë përsipër detyra konkrete për ruajtjen e territorit.

Angazhimet do të përfshijnë evidentimin në kohë të problematikave në pyje, pastrimin e mbetjeve, parandalimin e prerjeve të paligjshme dhe ndërtimeve pa leje, si dhe mirëmbajtjen e zonave pyjore për të kufizuar pasojat e zjarreve.

Rama bëri të ditur se po shqyrtohet edhe krijimi i një fondi për mbështetjen e këtyre nismave vullnetare dhe pa qëllim fitimi.

Kryeministri solli si shembull Lumin e Shalës, të cilin e cilësoi një markë turistike që duhet ruajtur në të gjithë përbërësit e saj.

“Lumi i Shalës është një brand dhe duhet mbrojtur. Nëse ai dëmtohet, preken të gjithë ata që punojnë dhe sigurojnë të ardhura prej tij”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se suksesi i një bujtine apo biznesi turistik lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e territorit përreth. Nëse natyra dëmtohet, ndotet apo ndërtohet pa kriter, turistët largohen dhe bashkë me ta pakësohen edhe të ardhurat për komunitetin.

Sipas Ramës, pastrimi dhe mirëmbajtja e pyjeve është gjithashtu thelbësore për uljen e dëmeve nga zjarret, pasi pasojat janë më të rënda në zonat e lëna pa kujdes dhe të papastruara.

Kryeministri Rama: Ne do bëjmë disa prova që të ndërtojmë ca marrëveshje me komunitete të njerëzve që merren me turizëm në këto territore dhe të bëjmë partneritet mes ministrisë së mjedisit dhe një komuniteti që krijon një shoqatë, një këshill të përbashkët dhe që merr përsipër të bëjë disa gjëra më shumë. Secili ka punën e vet por së bashku në një territor të caktuar, dhe kujdesen për të duke lajmëruar në kohë kur ka një problem të pastrimit të pyllit që e bën më vulnerabël ndaj zjarrit, kur ka nevojë për pastrim të një sasie të caktuar mbetjesh, kur ka nevojë për të ndaluar zhvillime pa leje e prerje të paligjshme. Se në fund të ditës duhet kuptuar që në këto territore të veçanta është që produkti është pjesa më e vogël e ofertës së madhe turistike. Produkti është e madhja, dhe nëse produkti cënohet sado e bukur të jetë bujtina, prurjet ekonomike fillojnë cënohen sepse njerëzit largohen nga aty ku nuk ruhet ajo gjëja për të cilën vijnë. Ne kemi filluar të ftojmë komunitetit që kushdo të krijojë një shoqatë për mbrojtjen e territorit që merr përsipër, të lidhet me Ministrinë e Mjedisit. Do mundohemi të krijojmë një fond për ta mbështetur këtë iniciativë pa qëllim fitimi. Ky është vullnetarizëm sepse së bashku mbrojmë produktin e madh. Lumi i Shalës është një brand dhe duhet mbrojtur. Nëse ai prishet të gjithë që punojnë prej tij lëndohen. Ai brand duhet mbrojtur me të gjithë komponentntet, duke nisur nga paprekshmëria e natyrës, higjiena, mënyra se si ndërtohet, deri te pastrimi i pyjeve për mbrojtjen nga zjarret. Është fatkeqësi e madhe që pasuri të tilla të dëmtohen nga zjarret për shkak se nuk jemi mjaftueshëm të organizuar. Një zjarr që bie nuk mund ta ndalosh gjithmonë, por mund t’i minimizosh pasojat. Është tjetër gjë kur zjarri bie në një pyll krejtësisht të papastruar dhe tjetër kur bie në një pyll të pastruar.Versus.al

Tags:

edi rama

Poll