Policia ka reaguar zyrtarisht pas atentatit të ndodhur mëngjesin e sotëm në Sarandë, ku një person u vra me armë zjarri dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55, në zonën e ish-agjencisë, ku, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasiArtan Myrtaj, 44 vjeç.
Policia shton që nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Njoftimi:
Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.













