Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan sot punën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku panë nga afër menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe punën e strukturave të Policisë Kufitare.
Gjatë vizitës, Demo falënderoi efektivët për punën e tyre, duke e lidhur atë me rritjen e numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë.
“Ne jemi këtu për të falënderuar trupën e Policisë së Shtetit, e cila po përballon këtë ritëm të rritjes së turizmit në Shqipëri. Përpunimi i 9.2 milionë turistëve në këta tetë muaj tregon jo vetëm angazhimin e forcave të policisë, por edhe suksesin që ka Shqipëria. Ju jeni fytyra e parë që shohin vizitorët në vendin tonë dhe marrëdhënia që krijoni është ajo që duam të tregojmë për Shqipërinë”, tha Demo.
Ministri theksoi se Rinasi mbetet pika kryesore e hyrjes në vend, ndërsa pritet që fluksi i turistëve të vijojë të rritet.
“Ne presim edhe më shumë turistë, më shumë fluks dhe më shumë punë. Vetëm në muajin gusht janë përpunuar 1.7 milionë turistë, ndërsa 3 milionë pasagjerë janë përpunuar vetëm nga tre e-gate. Kjo tregon efikasitetin që sjell teknologjia”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje