Nga Alfred Balla
Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një nga shtyllat kryesore dhe njëkohësisht ndër mekanizmat më të debatueshëm të reformës në drejtësi, të miratuar me unanimitet në vitin 2016. Pas përfundimit të tij, bilanci nuk mund të bëhet vetëm përmes numrit të magjistratëve të konfirmuar apo të shkarkuar. Një pjesë e rëndësishme e këtij bilanci është tashmë jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila në një sërë çështjesh ka konstatuar shkelje të Konventës në proceset e rivlerësimit.
Kur i lexon së bashku këto vendime, mesazhi i Strasburgut bëhet shumë më i qartë. Problemi nuk është ekzistenca e vettingut si mekanizëm, problemi lind kur vettingu zbatohet pa proporcionalitet, me standarde jo të njëjta, me barrë prove të pakufizuar, pa kontradiktoritet real, me prova që subjekti nuk mund t’i kundërshtojë, ose nga trupa që vetë nuk plotësojnë standardet e gjykatës së krijuar me ligj. Reforma në drejtësi nuk krijoi një zonë jashtë Konventës Europiane – edhe vettingu duhej dhe duhet t’u nënshtrohet të njëjtave standarde të shtetit të së drejtës.
Ja një analizë e shkurtër e rasteve të vendimarrjes së GJEDNJ-së për gjyqtarët e prokurorët në proces vettingu:
ANTONETA SEVDARI v ALBANIA – (Proporcionaliteti i sanksionit.)
Rasti Sevdari (prokurore dhe anëtare e KLP-së), është shumë domethënës sepse Strasburgu tha se jo çdo problem i konstatuar gjatë vettingut, mund të justifikojë masën më ekstreme, shkarkimin. Kur mungon keqbesimi, kur problematika financiare është e kufizuar dhe lidhet kryesisht me të ardhurat e bashkëshortit, ndërsa mangësia profesionale është një episod i izoluar, shkarkimi dhe përjashtimi nga sistemi bëhen joproporcionalë. Pra, vettingu nuk përjashtohet nga parimi themelor i proporcionalitetit.
Problemi pasuror lidhej praktikisht me të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi i ligjshëm jashtë vendit dhe pamundësinë për të provuar pagesën e tatimit për një pjesë relativisht të vogël të tyre. Një pjesë e të ardhurave ishte krijuar madje para martesës dhe para se Sevdari të bëhej prokurore. Nuk kishte indicie për keqbesim apo shkelje të qëllimshme nga vetë Sevdari. Mangësia profesionale ishte vetëm një afat ankimi i humbur në një çështje, të cilin vetë KPA e kishte konsideruar episod të izoluar dhe që, sipas vëzhguesit ndërkombëtar, nuk kishte perspektivë të arsyeshme suksesi. GJEDNJ tha në thelb: një parregullsi e vogël nuk mund të çojë automatikisht në sanksionin më ekstrem, shkarkim dhe përjashtim të përhershëm nga sistemi....
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 61-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
