I ftuar në edicionin e paradites në Syri TV, deputeti Tritan Shehu deklaroi se rezoluta për njohjen dhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë është bllokuar prej vitesh nga mazhoranca.
Shehu tha se dokumenti i depozituar nga deputetët e Partisë Demokratike mbështetet në fakte dhe prova dhe kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të njohë e dënojë gjenocidin serb në Kosovë, ndërsa qeveria shqiptare të asistojë institucionet e Kosovës në përgatitjen e materialeve dhe një aktakuze për drejtësinë ndërkombëtare.
Shehu u shpreh se rezoluta është riaktivizuar dhe përditësuar me ndryshimet e fundit, ndërsa ai ka kërkuar që të shqyrtohet me urgjencë në Kuvend.
Deputeti i PD-së argumentoi se Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, mund të luajë rol në paraqitjen e çështjes në institucionet ndërkombëtare, duke e cilësuar miratimin e rezolutës si një detyrim politik dhe institucional ndaj Kosovës.
Pjesë nga intervista:
Gjenocidi serb dhe kosovë është një gjenocid shumë i gjatë që kalon dhe një shekull përpara, por ne jemi në rezolutën që është paraqitur në parlamentin shqiptar nga deputetë e Partisë Demokratike, zoti Berisha si numri një i firmëtarëve, vëre theksin te gjenocidi i viteve 98-99, duke e argumentuar atë në një rezolutë shqiptare me fakte, me prova, ku ka argumentime të plota e bërë me shumë kujdes, është bërë edhe sipas modelit të rezolutës që ka miratuar kohë përpara Kuvendi i Kosovës për të njohur dhe dënuar gjenocidin serb në Kosovë, pra është një rezolutë e plotë e cila është një dokument juridik, deklarativ, është një vërtetues i realitetit dhe detyrues për qeverinë shqiptare për të ndjekur disa linja të caktuara në lidhje me këtë gjenocid.
Pra, rezoluta e thotë qartësisht: Kuvendi i Shqipërisë njeh gjenocidin serb në Kosovë, Kuvendi i Shqipërisë dënon gjenocidin serb në Kosovë, Kuvendi i Shqipërisë i kërkon qeverisë shqiptare të asistojë misionet kosovare dhe qeverinë e Kosovës në përgatitjen e materialeve dhe të një aktakuze të qartë për të dënuar gjenocid dhe në prezantimin e kësaj aktakuze pranë Gjykatës Ndërkombëtare dhe kjo ka shumë rëndësi sepse Kosova, duke mos qenë vend anëtar i OKB-së, nuk mund të çojë çështjen për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria mund ta bëjë.
Dhe ky është thelbi i kësaj rezolute e cila është shumë e qartë, shumë e prerë, shumë e plotë, që ka bërë që kjo mazhorancë, Rama ta bllokojë kalimin e saj në parlamentin shqiptar prej vitesh. Ne kemi kërkuar prej vitesh, e kemi çuar disa herë, por gjithmonë është rrëzuar, asnjëherë nuk është miratuar, së fundmi, pak ditë më parë, ne përsëri e riaktivizuam e ricuam këtë rezolutë, duke e përditësuar me ndryshimet e fundit dhe unë kërkova që seancën e së enjtes të diskutohet me urgjencë, të miratohej me urgjencë, për nderin e parlamentit, për të shlyer turpin që ky parlament ka bërë vite me radhë duke bllokuar këtë rezolutë.
© SYRI.net