Kryeministri Edi Rama është ndalur te mundësitë që ofron “Paketa e Maleve” për familjet dhe sipërmarrësit që duan të investojnë apo të zgjerojnë aktivitetet e tyre në agroturizëm.
Duke marrë si shembull historinë e Entelës, e cila së bashku me familjen vendosi të rikthehej në Koman për të ngritur një bujtinë, Rama tha se “Paketa e Maleve” është krijuar pikërisht për t’u ardhur në ndihmë familjeve që duan të zhvillojnë pronat dhe aktivitetet e tyre në zonat malore. Qeveria e ka përshkruar gjithashtu paketën si një instrument për të lehtësuar investimet në tokat e trashëguara, veçanërisht në rastet kur ka problematika të lidhura me dokumentacionin e pronësisë.
“Bashkia ka bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur aplikime, kanë nxjerrë edhe fitues. Nëse ju doni të zgjeroheni, kjo është mënyra më e shpejtë”, iu drejtua Rama të ftuarës në podkastin “Flasim”.
Kryeministri u ndal edhe te problematikat e pronësisë, duke theksuar se paketa mund të përdoret nga ata që hasin vështirësi me regjistrimin e pronës.
“Mënyra më e shpejtë është të shfrytëzoni rrugën e ‘Paketës së Maleve’ dhe të bëni një projekt të integruar. Pastaj aty brenda për brenda projektit bëhet dhe legalizimi i shtëpisë”, tha Rama.
Sipas Ramës, zgjerimi i një agroturizmi nuk nënkupton vetëm shtimin e numrit të dhomave, por mund të përfshijë edhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, si vreshta, ferma, baxho apo punishte për produkte ushqimore. Në një takim të mëparshëm me sipërmarrës të sektorit, ai e ka lidhur këtë mundësi me synimin për krijimin e rrjeteve të agroturizmeve dhe zgjerimin e aktiviteteve të tyre.
“Paketa e Maleve” është një nga instrumentet e qeverisë për zhvillimin ekonomik të zonave malore, me fokus te turizmi, bujqësia dhe aktivitetet e tjera që lidhen me potencialin ekonomik të këtyre territoreve. Sipas Qeverisë, nisma synon gjithashtu të adresojë problematikat e pronësisë që kanë penguar investimet në tokat e trashëguara.

