Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës masat për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve, si dhe punën e strukturave të Policisë Kufitare.
Gjatë inspektimit, Demo bëri me dije se gjatë tetë muajve të parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë 9.2 milionë turistë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar rreth 1.7 milionë hyrje turistike. Sipas tij, rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve kërkon një angazhim të shtuar të strukturave kufitare për garantimin e sigurisë dhe përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve.
“Ne presim rritje të numrit të turistëve, që do të thotë më shumë fluks dhe punë për forcat e policisë. Muaji gusht ka qenë i jashtëzakonshëm, 1.7 milionë turistë. Mbi 3 milionë pasagjerë janë përpunuar përmes sistemit e-Gate”, deklaroi Demo.
Ministri vuri theksin edhe te përdorimi i teknologjisë për përshpejtimin e procedurave në pikat kufitare, duke theksuar se sistemi e-Gate po luan një rol të rëndësishëm në përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se krahas menaxhimit të fluksit, strukturat e Policisë Kufitare vijojnë punën për identifikimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar.
“Shërbimet kufitare nuk kanë lënë jashtë vëmendjes edhe goditjen e kriminalitetit dhe krimeve ndërkufitare”, u shpreh Hita.
Sipas tij, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në pikat kufitare janë evidentuar raste të kriminalitetit ndërkufitar dhe janë ndjekur procedurat ligjore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë.
Inspektimi në Rinas vjen në një periudhë me flukse të larta udhëtarësh, ku strukturat e Policisë Kufitare duhet të përballojnë njëkohësisht rritjen e numrit të vizitorëve dhe kontrollet për garantimin e sigurisë në kufi.

