Një 39-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme me qëllim vjedhjen e xhirove ditore, përpara se të largohej nga vendi i punës.
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Skema”, i zhvilluar nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetases K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte shpallur në kërkim. Ajo u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në ambientet e një lokali në kryeqytet.
Sipas hetimeve të kryera nga policia, 39-vjeçarja dyshohet se punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë dhe, pasi fitonte akses në ambientet dhe aktivitetin e tyre, vidhte xhiron ditore dhe largohej.
Gjatë hetimit janë dokumentuar pesë raste vjedhjesh të kryera në subjekte të ndryshme, në territoret që mbulohen nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2.
Policia bën me dije se po vijon puna për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga 39-vjeçarja.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

