
Nga Engjell Serjani
Ka qytete që të presin me një monument të madh dhe të tregojnë menjëherë historinë e tyre. Ka edhe të tjerë që duhen kërkuar më gjatë. Duhet të ecësh në rrugët e tyre, të ngjitesh drejt kodrave, të shohësh rrënojat, kishat e xhamitë, të dëgjosh këngët që kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe, mbi të gjitha, të ulesh me njerëzit e tyre për të kuptuar se çfarë e bën një vend të veçantë.
Në vizitën time për të përgatitur këtë reportazh, Delvina më la pikërisht këtë përshtypje kur takova banorë të rastësishëm dhe njerëz të kulturës, arsimit, krijimtarisë e biznesit. Bisedova me përfaqësues të institucioneve vendore, me mësues, krijues dhe njerëz që merren çdo ditë me jetën e qytetit.
Të gjithë flasin me krenari për vendlindjen. Secili ka diçka për të treguar. Dikush për një monument, dikush për një këngë, dikush për një zeje të harruar, dikush për një poet, një futbollist, një ullishte, një bujtinë, apo një produkt të vendit. Dhe duke i dëgjuar, kuptova se Delvina nuk është vetëm ajo që shohim në hartë dhe as vetëm ajo që kanë lënë pas shekujt. Është një qytet që përpiqet ta mbajë të gjallë kujtesën dhe, njëkohësisht, ta kthejë atë në një mundësi për të ardhmen.
Një histori që nis shumë përpara qytetit të sotëm
Për ta kuptuar Delvinën duhet të kthehesh edhe më larg në kohë. Në hapësirën e saj dhe në rrethinat përreth gjenden dëshmi të një historie të gjatë, ku qytetërimet e hershme kanë lënë gjurmë të rëndësishme. Kamenica është një prej këtyre dëshmive. Rrënojat e saj, së bashku me gjurmët e tjera arkeologjike, tregojnë se kjo hapësirë ka njohur jetë, organizim dhe zhvillim shumë përpara formimit të qytetit të sotëm.
Më pas, qytetërimet e hershme, u lanë vend zhvillimeve të tjera historike. Por gjurmët nuk u zhdukën. Ato mbetën në gurë, në ndërtime, në vende të shenjta, në emërtime, në këngë dhe në kujtesën popullore. Mbi Delvinë ngrihet edhe Kalaja e hershme, me pozicionin e saj dominues gjeografik. Prej saj hapet një pamje që të ndihmon të kuptosh edhe arsyen e zgjedhjes së këtij vendi në periudha të ndryshme historike. Kalaja është ndër ato pika, ku historia dhe peizazhi bëhen një.
Për të, na kujtojnë edhe përshkrimet e kronistit osman Evliya Çelebiu, i cili e përfshiu Delvinën në udhëtimet dhe shënimet e tij. Por një vizitor që vjen sot këtu nuk duhet të mendojë vetëm për muret dhe gurët e kalasë. Nga lart, ai sheh një territor ku historia vazhdon të jetë e pranishme edhe në jetën e sotme....
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 61-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
