Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur procedurën për përcaktimin e reparacioneve për viktimat në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi është marrë më 16 shtator nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles L. Smith, në të njëjtën ditë kur u shpall aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Gjykata i gjeti ata penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa shqiptoi dënime prej 25 vitesh burgim për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vitesh për Veselin dhe 13 vitesh për Selimin.
Sipas vendimit të Trupit Gjykues, procedura për reparacionet do të zhvillohet në bazë të nenit 22(8) të Ligjit dhe rregullës 168 të Rregullores, nëse Mbrojtja nuk paraqet kundërshtim. Afati për kundërshtimin e nisjes së procedurës është 22 shtatori. Nëse nuk ka kundërshtim, Përfaqësuesi i Viktimave duhet të paraqesë kërkesën konkrete për reparacione deri më 14 tetor, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Mbrojtja kanë afat deri më 4 nëntor për t’iu përgjigjur.
Nisja e kësaj procedure vetëm një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ka hapur diskutimin nëse duhej pritur përfundimi i procesit gjyqësor në shkallën e dytë, përpara se të përcaktoheshin reparacionet për viktimat.
Avokati Ardian Bajraktari argumenton se, si rregull, procedura për kompensimin e viktimave duhet të nisë pasi vendimi penal të bëhet i formës së prerë. Sipas tij, për sa kohë aktgjykimi mund të ndryshojë në Gjykatën e Apelit, nisja e procedurës në këtë fazë është e parakohshme.
“Si rregull, procesi i kompensimit të viktimave fillon pas plotfuqishmërisë së vendimit. Mirëpo, kur jemi te Gjykata Speciale, anomalitë, veprimet në kundërshtim me ligjin kanë qenë ato që e kanë karakterizuar në vazhdimësi procesin, prandaj një gjë e tillë ka qenë në vazhdimësi diçka e rëndomtë për këtë gjykatë. Vlerësoj që, mbi të gjitha, një veprim, një vendim i tillë është i parakohshëm për aq kohë sa nuk kemi akoma vendim të plotfuqishëm”, ka thënë Bajraktari.
Sipas tij, vendimi që mund të marrë Gjykata e Apelit mund të ndryshojë edhe bazën mbi të cilën po zhvillohet procedura e reparacioneve, çka, sipas këtij interpretimi, e bën të diskutueshme nisjen e saj përpara përfundimit të procesit penal.
Një tjetër interpretim vjen nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani. Ai vlerëson se procedura për kërkesën pasurore-juridike mund të zhvillohet paralelisht me çështjen penale dhe se nuk është domosdoshmërisht e nevojshme të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, vetë Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se Trupi Gjykues ka zgjedhur të zhvillojë procedurën e reparacioneve dhe të nxjerrë një urdhër për kompensimin e viktimave, në vend që t’i drejtojë ato drejt një procesi civil në Kosovë, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtim. Në këtë çështje janë 156 viktima pjesëmarrëse.
Aktgjykimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar apelimin e tij. Sipas procedurës, edhe Mbrojtja, edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mund ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.


