AKTUALITET /

Kënga për Enver Hoxhën në Bibliotekën e Lushnjës, institucioni sqaron videon: Gruaja vjen nga një familje e persekutuar dhe po rrëfente fëmijërinë

Në sqarimin e saj, Biblioteka ka publikuar materialin e plotë dhe ka deklaruar se fragmenti i shpërndarë në rrjetet sociale ishte shkëputur nga konteksti.

Shkruar nga Versus

Kënga për Enver Hoxhën në Bibliotekën e Lushnjës,

Biblioteka e Lushnjës ka reaguar pas publikimit të një videoje nga një aktivitet kulturor, e cila u interpretua si një moment ku këndohej dhe duartrokitej për ish-diktatorin Enver Hoxha.

Pamjet u publikuan nga deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili e cilësoi aktivitetin si glorifikim të diktaturës dhe kërkoi reagim nga drejtuesit vendorë.

Në sqarimin e saj, Biblioteka ka publikuar materialin e plotë dhe ka deklaruar se fragmenti i shpërndarë në rrjetet sociale ishte shkëputur nga konteksti.

Sipas institucionit, gruaja që shfaqet në video është pedagoge dhe vjen nga një familje e persekutuar gjatë regjimit komunist. Në fjalën e saj, ajo po rrëfente një episod nga fëmijëria, në periudhën kur vdiq Enver Hoxha.

Ajo tregoi se kishte qenë nxënëse e shkëlqyer dhe se, pavarësisht biografisë së keqe të familjes, përzgjidhej për të prezantuar dhe recituar poezi gjatë aktiviteteve shkollore.

Biblioteka sqaroi gjithashtu se veprimtaria për promovimin e librit të Neki Ngucajt ishte organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe jo nga Bashkia apo vetë Biblioteka. Ambientet e institucionit ishin vënë në dispozicion për zhvillimin e aktivitetit.

Sqarimi i plotë i Bibliotekës së Lushnjës:

“Në lidhje me promovimin e librit të z. Neki Ngucaj, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik lidhur me disa keqinterpretime të krijuara pas publikimit të pamjeve nga aktiviteti.

Ky aktivitet u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe u zhvillua në ambientet e Bibliotekës. Ai nuk ishte një aktivitet i organizuar nga Bashkia apo nga Biblioteka, por një veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila kishte zgjedhur ambientet e Bibliotekës për zhvillimin e saj.

Kryetarja e Bashkisë dhe stafi i Bibliotekës morën pjesë në aktivitet me ftesë të familjarëve të autorit dhe të organizatorëve. Pjesëmarrja në këtë veprimtari ishte në respekt të autorit, familjes së tij dhe historisë së saj, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një familje me një histori persekutimi.

Na vjen keq që disa pamje të shkëputura nga aktiviteti janë interpretuar jashtë kontekstit dhe kanë krijuar një perceptim të ndryshëm nga qëllimi dhe përmbajtja reale e veprimtarisë.

Biblioteka është një hapësirë publike dhe kulturore, dyert e së cilës janë të hapura për promovime librash, aktivitete letrare, artistike dhe kulturore të organizuara nga institucione, shoqata, organizata dhe individë.

Respekti ndaj kulturës, letërsisë, autorëve dhe historive familjare që mbartin kujtesën e një periudhe të vështirë të shoqërisë sonë është dhe mbetet në themel të mbështetjes së këtyre aktiviteteve.

Ky sqarim bëhet me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik dhe vendosjen e ngjarjes në kontekstin e saj të vërtetë.”/Versus.al

Tags:

lushnje

Poll