web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjedhjet në Berlin dhe Meklenburg-Pomerani/ Moment vendimtar dhe test për kancelarin Merz

20 Shtator 2026, 15:13, Kosova & Bota CNA

Zgjedhjet në Berlin dhe Meklenburg-Pomerani/ Moment vendimtar dhe test

Zgjedhjet që do të zhvillohen më 20 shtator në Berlin dhe Meklenburg-Pomerani po ndiqen me vëmendje të veçantë. Edhe pse në radhë të parë bëhet fjalë për të ardhmen politike të këtyre dy landeve, rezultatet mund të kenë pasoja edhe përtej kufijve të tyre, veçanërisht për kancelarin federal Friedrich Merz dhe partitë që përbëjnë qeverinë federale.

Për Merzin këto zgjedhje vijnë në një moment politikisht të rëndësishëm, sepse ato mund të ndikojnë në debatin politik në Berlin dhe të nxisin diskutime të reja për mbi drejtimin që po ndjek qeveria federale.

Megjithatë rezultatet e zgjedhjeve për parlamentet rajonale nuk duhen parë vetëm si një vlerësim i politikës federale. Çështjet lokale, temat që shqetësojnë më shumë votuesit si dhe kandidatët kryesorë në secilin land luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në përcaktimin e votës së qytetarëve.

Kush mund të qeverisë në Meklenburg-Pomerani?

Në Meklenburg-Pomerani formimi i qeverisë së re mbetet i hapur. Sipas sondazheve më të fundit SPD renditet e para me 37 për qind, e ndjekur shumë afër nga AfD-ja me 36 për qind. CDU, E Majta dhe Të Gjelbrit pritet të marrin përkatësisht 6, 9 dhe 5 për qind, ndërsa partia BSW mbetet në 4 për qind. Me këto rezultate koalicioni aktual qeverisës mes SPD-së dhe së Majtës nuk do të siguronte një shumicë parlamentare.

Megjithatë kryeministrja aktuale Manuela Schwesig gëzon ende mbështetje të lartë personale. Sipas të dhënave të ZDF-së në një krahasim të drejtpërdrejtë me kandidatin kryesor të AfD-së, Leif-Erik Holm, 61 për qind e të anketuarve do të zgjidhnin Manuala Schwesig si kryeministre, ndërsa vetëm 30 për qind do të preferonin Holmin.

Prandaj konfigurimi i qeverisë së ardhshme do të varet në masë të madhe nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe veçanërisht nga vendet e partive më të vogla, E Majta dhe Të Gjelbrit, në parlamentin rajonal. Sondazhet aktuale nuk përbëjnë një parashikim të sigurt të rezultatit zgjedhor. Për më tepër, sipas ZDF-së, rreth 21 për qind e të anketuarve ende nuk kanë vendosur përfundimisht se kë do të votojnë, ose nëse do të marrin ose jo pjesë në zgjedhje.

Garë e ngushtë në Berlin

Edhe në Berlin situata para zgjedhjeve për Dhomën e Deputetëve mbetet interesante. Pak para votimit CDU-ja dhe E Majta po zhvillojnë një garë të ngushtë për vendin e parë. Sipas sondazhit më të fundit ZDF-Politbarometer Extra të 17 shtatorit, E Majta kryeson me 22 për qind, ndërsa CDU-ja vjen menjëherë pas saj me 20 për qind. Pas tyre renditen AfD me 18 për qind dhe Të Gjelbrit me 15 për qind. SPD-ja arrin në 12 për qind, ndërsa partia BSW në 4 për qind.

Nëse këto shifra do të konfirmoheshin në zgjedhje, koalicioni aktual qeverisës mes CDU-së dhe SPD-së do ta humbiste shumicën parlamentare. Sipas projeksioneve aktuale, do të ishin të mundshme disa variante qeverisjeje. Një koalicion mes së Majtës, të Gjelbërve dhe SPD-së do të kishte shumicën, ashtu si edhe një aleancë mes CDU-së, të Gjelbërve dhe SPD-së. Megjithatë se cili konfigurim do të realizohet në fund varet jo vetëm nga rezultati zgjedhor, por edhe nga negociatat e koalicionit pas votimit.

Një panoramë të ngjashme paraqiti edhe sondazhi paraprak i ARD-së i publikuar më 10 shtator. Edhe aty E Majta renditej e para me 21 për qind, pak përpara CDU-së me 20 për qind. AfD-ja dhe Të Gjelbrit pasonin me përkatësisht 18 dhe 16 për qind, ndërsa SPD-ja mbetej në 12 për qind. Edhe në këtë sondazh.

Në sy bie edhe ndryshimi i madh krahasuar me zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve të Berlinit në vitin 2023, CDU-ja kishte arritur 28,2 për qind të votave, ndërsa E Majta vetëm 12,2 për qind. Prandaj sondazhet aktuale tregojnë se peizazhi partiak në Berlin mund të jetë duke pësuar ndryshime të konsiderueshme. /DW





Lajmet e fundit nga