Makina përfshihet nga flakët në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ndërhyjnë zjarrfikësit

Një automjet tip Toyota Auris, me targa AB 153 JI, është përfshirë nga flakët në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur kthesa e Picarit.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërriti një automjet zjarrfikës i Shërbimit Zjarrfikës të Gjirokastrës, së bashku me grupin e ndërhyrjes. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë me ujë dhe shkumë, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Automjeti, i cili ishte me motor nafte, ishte përfshirë plotësisht nga zjarri dhe pësoi dëme të mëdha, duke u djegur në tërësi.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Shkaqet e rënies së zjarrit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa policia ka nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




