web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Korça Half Marathon “Little Paris”/ Mbi 1100 vrapues në edicionin e parë ndërkombëtar

20 Shtator 2026, 15:42, Qyteti im CNA

Korça është kthyer në kryeqytetin e vrapimit, me edicionin e parë ndërkombëtar të gjysmëmaratonës “Little Paris”. Mbi 1100 vrapues, nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, u bënë pjesë e garës që përshkoi rrugët e qytetit juglindor.

Me tri distanca të certifikuara, 5, 10 dhe 21 kilometra, si dhe aktivitete për grupmosha të ndryshme, organizatorët synojnë që kjo garë të kthehet në një traditë të përvitshme për Korçën. Mes pjesëmarrësve, spikatën edhe sportistët fitues, ndërsa vëmendjen e mori vrapuesi 81-vjeçar, Sotir Qiriaqi, i cili iu bashkua garës për të nderuar qytetin. Organizatorët e konsiderojnë këtë edicion si pikënisjen e një tradite të re sportive për Korçën.

"Atëherë, ky është edicioni i parë internacional, Korça Half Marathon ‘Little Paris’. Është maratona e cila është regjistruar në kalendarin botëror të maratonave, është e certifikuar në distancat 5 kilometra, 10 kilometra dhe 21 kilometra. Është edicioni i parë dhe do të jetë një traditë në qytetin e Korçës. Kjo është maratonë e vendosur shumë mirë në rrugët më të bukura të këtij qyteti. Në këtë qytet vërtet brilant. Në këtë edicion të parë ishte një pjesëmarrje e paparashikuar, tej parashikimeve tona. Siç e shikoni, kemi 1,100 vrapues e më shumë, të cilët marrin pjesë në të tëra disiplinat. Kemi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Ka qenë një ditë brilante, një ditë shumë e bukur për qytetin e Korçës. E gjithë Korça feston sot”, shprehet Dashamir Çali, kryetar i shoqatës.

Pjesëmarrja e lartë dhe interesi i sportistëve e kanë kthyer këtë edicion të parë në një surprizë edhe për vetë organizatorët. Përveç garave kryesore, aktiviteti përfshiu edhe një vrapim prej 3 kilometrash, ku u angazhuan nxënës të shkollave të mesme të qytetit, si dhe distancën 5 kilometra në kategorinë “Fun Run”. Në garën prej 21 kilometrash morën pjesë sportistë të moshës 18 vjeç e sipër, ndërsa në start u shënuan edhe mbi 45 pjesëmarrës të huaj.

“Edicioni i parë Korça Little Paris. Një surprizë shumë e bukur edhe për ne vetë organizatorët, nuk e prisnim një entuziazëm dhe një pjesëmarrje të tillë. Konfirmojmë që ishin mbi 1,100 vrapues, kryesisht nga qyteti i Korçës, por siç e tha dhe kryetari kjo është një maratonë internacionale. Kishim mbi 45 të huaj pjesëmarrës që në edicionin e parë. Realisht ndihemi krenarë.Atëherë, kishim një vrapim 3 kilometra ku përfshiheshin të gjitha moshat e shkollave të mesme të qytetit të Korçës. Gjithashtu edhe 5 kilometra kjo ishte në Fun Run. Kemi edhe disiplinën e 21 kilometrave që këtu bëjnë pjesë nga 18 vjeç e sipër. Vlen të theksohet që kishim një nga personazhet më karizmatikë të maratonave shqiptare, djaloshi rebel zotin Sotir Qiriaqi, 81 vjeç. Që ishte edhe vrapuesi më i madh në moshë në edicionin e parë zyrtar të Korça Little Paris”, tha Leonard Peço.

Mes garuesve që u ngjitën në podium ishte edhe Lis Binaku nga Gjakova e Kosovës, i cili fitoi distancën 5 kilometra. Për të, pjesëmarrja në Korçë ishte një eksperiencë e veçantë, ndërsa fitorja erdhi pas një periudhe me përgatitje të kufizuara dhe një dëmtimi të lehtë.

“Për mua është hera e parë që vij në Korçë. Ishte eksperiencë e jashtëzakonshme. Korça është qytet i bukur, i pastër. Është hera e parë që vij vetëm të marrë pjesë për garën prej qytetit të Gjakovës, Kosovë. Faleminderit shumë për organizimin, gara ishte me konkurrentë të fortë. Është hera e dytë që zë vendin e parë. Kam afërsisht 1 vit, nuk kam shumë që vrapoj. Po mundem me e rritë shumë shpejt performancën time, me ndihmën e trajnerit tim Dren Bardhi, të cilin e falenderoj shumë, edhe gjithashtu me ndihmën e Zotit se pa të nuk bëhet asgjë. E kam patur një lëndim të vogël, kam pushuar 2-3 javë afërsisht. Kam marrë pjesë në garën e Gjakovës javën e kaluar edhe pa pasur shumë përgatitje kam marrë pjesë edhe këtu. Me rezultatin nuk është se jam shumë i kënaqur, por përderisa dola i pari, jam shumë me fat”, tha Binaku.

Në distancën kryesore, atë prej 21 kilometrash, fitues u shpall Ilir Këllezi, i cili e përjetoi këtë rezultat me emocione të veçanta, pasi gara u zhvillua në qytetin e tij të lindjes. Me këtë fitore, ai numëron 75 kupa dhe mbi 203 medalje gjatë karrierës së tij sportive.

“Kjo është hera e 12-të që dal në Shqipëri në maratonë i pari. Emocionet janë shumë të mëdha, sidomos kur zhvillohet në qytetin tënd të lindjes. Kjo garë duhej bërë dhe më përpara, por jam shumë i lumtur që zhvillohet edicioni i parë dhe aq më shumë që fitoj vendin e parë në edicionin e parë të gjysmëmaratonës. Në fakt kam ikur që në fillim i pari dhe e kam mbajtur pothuajse të njëjtin ritëm me rritje graduale. Kam pasur një kundërshtar shumë të fortë që ka qenë nga Turqia, gjithashtu dhe një grek.Me fitoren e sotme m’u bënë 75 kupa dhe mbi 203 medalje”, u shpreh Këllezi.

Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni ishte pjesëmarrja e Sotir Qiriaqit, 81-vjeçarit që u bë vrapuesi më i moshuar i garës. Me një eksperiencë prej dekadash dhe mbi 390 gara të zhvilluara në vende të ndryshme të botës, ai iu bashkua aktivitetit për të nderuar Korçën, pavarësisht se, siç tregon vetë, nuk kishte qenë në gjendjen e tij të zakonshme fizike. Për të, gjysmëmaratona është një dhuratë për qytetin, por edhe një aktivitet që duhet ruajtur dhe zhvilluar më tej.

“Unë ju falenderoj së pari që po më merrni intervistë, jam shumë i kënaqur. Kjo mund të jetë intervista e 29 viteve, nga Çikago, Nju Jorku, Amsterdami, Melburni, Torino, Milano, Firence, Korça sot! Kam vrapuar mbi 390 gara dhe Korça sot ishte fantastike, mos harrojmë t’ju them që Korça nuk është qytet spontan, Korça është qyteti i Motrave Qirjazi, i Liceut të Korçës, i sportistëve të mëdhenj, i Skënderbeut të Korçës, i djemve dhe vajzave shumë të mira.Dhe Korça sot në kurorën e argjendtë me të gjitha aktivitetet që bën, vuri dhe një margaritar të vogël që është Maratona e Korçës. Sot me thënë të drejtën unë erdha për ta respektuar Korçën se s’kam pasur kondicione fizike të rregullta, por vrapova, eca 5 orë, u takova dhe me ato vajzat që takova rrugës dhe jam shumë i kënaqur që bëra një garë.Se maratona ka disa gjëra: maratona do të ketë siguri, do të ketë vijëzime, do të ketë rregulla. Këta janë çunat e talentuar, Nardi dhe Dashi janë shokët e mi të ‘Maraton Albania’ se unë jam një nga krijuesit e kësaj gare. Por unë kam pozicionin tim si vrapues, si këshilltar dhe uroj që Korça ka marrë një dhuratë të madhe, këtë duhet ta mbani, ta çoni deri në fund sepse vendi është vendi i Pavlina Evros, i Kasapit dhe i shumë atletëve të tjerë të mëdhenj”, tha Qiriaqi.

Edicioni i parë i Korça Half Marathon “Little Paris” solli në qytetin juglindor një festë të sportit, duke bashkuar vrapues të moshave dhe përvojave të ndryshme. Nga nxënësit e shkollave të mesme te atletët me përvojë ndërkombëtare, aktiviteti synon të kthehet në një pikë takimi për sportistët dhe një traditë të re për Korçën. Me mbi 1100 pjesëmarrës dhe interesin e treguar që në edicionin e parë, organizatorët shpresojnë që kjo garë të vijojë të rritet në vitet e ardhshme, duke e vendosur Korçën gjithnjë e më shumë në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare të vrapimit. /CNA





19:09 Qyteti im Luan Rama

Në qytetin e poetëve

NDOC GJETJA/ NDERA DHE MARRA E LEZHËS… Krejt pavetëdijshë...

Lajmet e fundit nga