E diel, 20 Shtator 2026 Eat And Traditë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Pas ekzekutimit në Sarandë, Hita mbledh policinë: Do krijojmë struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku një 44-vjeçar u vra me armë zjarri dhe një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, mbeti i plagosur.

Hita kërkoi hetime të shpejta e të thelluara për zbardhjen e atentatit dhe identifikimin e autorëve.Gjatë takimit, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi një skanim të plotë të situatës kriminale në Sarandë, nga konfliktet më të mprehta deri te ato më të vogla, si dhe evidentimin e personave me precedentë penalë dhe të kontingjentit kriminal që vepron në zonë.

Ai theksoi se pas përfundimit të sezonit turistik, fokusi do të jetë intensifikimi i hetimeve edhe për ngjarje kriminale të ndodhura në vitet e kaluara, si dhe goditja e grupeve kriminale.Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për ekzekutimin e 44-vjeçarit, policia po kryen kontrolle me dronë në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon administrimin e provave dhe verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale.”, tha Hita.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.