
Pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Murtaj, i ekzekutuar me armë zjarri paraditen e kësaj të diele në Sarandë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur në qytetin bregdetar, ku ka zhvilluar takime me drejtuesit vendorë të Policisë.
Gjatë takimit, Hita ka kërkuar një hetim të shpejtë dhe të thelluar për ngjarjen, si dhe një skanim të plotë të situatës kriminale në Sarandë. Sipas tij, duhet të evidentohen konfliktet më të mprehta, por edhe ato në dukje më të vogla, personat me precedentë penalë dhe kontingjenti kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe persona që vijnë nga qytete të tjera.
“Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, deklaroi Hita.
Në kuadër të operacionit për zbardhjen e vrasjes, kontrollet po kryhen edhe me dronë në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon administrimin dhe analizimin e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Pas ngjarjes, policia ka ngritur gjithashtu pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa vijon kërkimi për personat e dyshuar.
Nga të shtënat që i morën jetën 44-vjeçarit Murtaj, mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastësishëm. 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj u qëllua në shpinë teksa po kalonte rrugën dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët kanë lëvizur me motor dhe kanë mbajtur skafandra, ndërsa më pas janë larguar nga vendngjarja.
Takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me strukturat vendore vjen pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale të regjistruara muajt e fundit në qytetin bregdetar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të krimit./Versus.al

