Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se po shqyrton seriozisht mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Vendimi, sipas tij, pritet të merret së shpejti, ndërsa kthimi i parakohshëm nga fundjava në Camp David ka shtuar spekulimet për një zhvillim të mundshëm ushtarak.
Në një intervistë telefonike të dielën për Fox News, Trump përmendi tre skenarë për Iranin: arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, lejimin e përkeqësimit të situatës ekonomike të vendit ose, siç u shpreh ai, “shkatërrimin” e Iranit.
“Pyetja ime është: kur dhe nëse do ta shkatërroj të gjithë vendin?”, tha Trump, duke shtuar: “Më mirë të sillen mirë.”
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në muajin e shtatë. Trump ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur se po shqyrton dy mundësi kryesore: intensifikimin e operacioneve ushtarake ose arritjen e një marrëveshjeje të re me Teheranin.
Më herët gjatë javës, Trump i tha Axios se përballet me “një vendim të rëndësishëm” lidhur me mundësinë e “shkatërrimit” të regjimit iranian.
Edhe pse Trump ka bërë kërcënime të ngjashme më parë, komentet e tij vijnë përpara një takimi të planifikuar të martën e ardhshme me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Gjirit, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Lidhur me këtë takim, Amerika lejoi presidentin e Iranit, Mahsud Pezeshkian që të marrë pjesë në takimin e përvitshëm që mbledh liderët e mbarë botës në OKB, por lëvizjet e delegacionit iranian do të jenë të kufizuara.
Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve vijojnë të intensifikohen në Ngushticën e Hormuzit.
Marina e Gardës paralajmëroi se kalimi i paautorizuar nëpër ngushticë do të rezultonte në shkatërrimin e çdo anijeje që shkelte rregullat e vendosura nga Irani. Republika Islamike ka marrë kontrollin mbi rrugën ujore që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt.