Pankartat kanë qenë sërish një nga mënyrat përmes të cilave protestuesit kanë përcjellë mesazhet e tyre në ditën e 113-të të tubimeve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Me ironi dhe slogane që prekin drejtpërdrejt qeverisjen, qytetarët kanë vendosur në fokus përçarjen politike, korrupsionin dhe mënyrën e përfaqësimit përmes zgjedhjeve.
Një prej pankartave i referohet Ramës me nofkën “Trajneri”, duke përcjellë mesazhin se bashkimi i qytetarëve mund të forcojë qëndrimin kundër pushtetit.
“Kur ne përçahemi, ‘Trajneri’ feston në pushtet, kur ne bashkohemi, më i fortë bëhet ky shtet!”, shkruhet në të.
Një tjetër mesazh lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe kërkon ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve.
“Ilaçi kundër korrupsionit: lista të hapura, duart e pastra”, thuhet në pankartë.
Ndërsa përmes një tjetër slogani, protestuesit kanë kundërshtuar marrëveshjet politike të drejtuesve të partive, duke kërkuar që vendimmarrja t’u rikthehet votuesve.
“Fund pazareve të kryetarëve, vota u takon qytetarëve”, shkruhet në pankartën tjetër.
















