AKTUALITET /

EMRI/ Hyri të vidhte me 4 të tjerë, por vritet nga pronari italian i banesës, zbulohet identiteti i shqiptarit 36-vjeçar

Sipas hetimeve paraprake, Lazri dyshohet se kishte hyrë në oborr së bashku me të paktën katër persona të tjerë, me qëllim vjedhjen e materialeve të ndërtimit.

Shkruar nga Versus

EMRI/ Hyri të vidhte me 4 të tjerë, por vritet nga pronari

Zbardhet identiteti i shqiptarit që u vra nga pronari italian teksa po grabiste një banesën e tij.

Ai është 36-vjeçari Gjovalin Lazri, i cili ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, në një pronë që po rikonstruktohej. Sipas hetimeve paraprake, Lazri dyshohet se kishte hyrë në oborr së bashku me të paktën katër persona të tjerë, me qëllim vjedhjen e materialeve të ndërtimit.

Grupi dyshohet se ka mbërritur rreth orës 02:30 në pronën e 35-vjeçarit Roberto Mollo, ku ndodheshin materiale ndërtimi me vlerë disa mijëra euro, mes tyre çimento, pllaka, tjegulla, vegla dhe skela.

Mollo, i cili ndodhej në pronë, ka deklaruar se është zgjuar nga zhurmat dhe ka marrë një pistoletë gjysmëautomatike, me të cilën ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë.

Të dyshuarit e tjerë kanë arritur të largohen, ndërsa Lazri është plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, 36-vjeçari ka ndërruar jetë pak më vonë.

Mollo është vënë nën hetim për vrasje me dashje. Arma ishte e regjistruar në emër të tij, por autoritetet po verifikojnë nëse ai kishte të drejtë ta mbante atë në pronën ku ndodhi ngjarja.

Lazri kishte origjinë shqiptare dhe prej vitesh jetonte në Torino me familjen. Ai drejtonte një bar në Corso Taranto së bashku me partneren dhe kishte një djalë. Sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, 36-vjeçari kishte një precedent penal për krime kundër pronës, por ishte duke punuar dhe po përpiqej të riintegrohej në shoqëri.

Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Torino, ndërsa pritet kryerja e autopsisë/Versus.al

 

Poll