Bllokimi mishit nga Brazili, Shqipëria nuk është e detyruar ta zbatojë
Alban Zusi, kreu i Shoqatës së Industrialistëve, në një intervistë për emisionin “E-ZONE” tha se vendimi i BE-së për të ndaluar importin e mishi nuk është një vendim detyrues për Shqipërinë. Sipas tij vendi nuk është pjesë e unionit për të zbatuar një vendim, i cili ka pasoja ekonomike.
“Unë e shoh vendimin e BE-së më shumë si një vendim ekonomik për të mbrojtur fermerin europian. Deri tani ka dyshime dhe jo fakte se mishi me orgjinë nga Brazili nuk është cilësor. Kjo është një luftë tregtare, pasi ky shtet është më i madhi në eksportet e mishit në tregun europian, ndaj dhe qeveria shqiptare nuk e kishte për detyrë ta ndalonte pasi efektet në treg janë penalizuese për qytetarin“, – tha Zusi.
Shqipëria importon nga Brazili mish pule, derri dhe vici. Ndalimi importeve nga shtatori do t’i detyrojë bizneset që gjejnë tregje të reja për të siguruar sasinë e nevojshme që kërkon tregu. Por ky produkt do të jetë me një çmim të ri.
“Është pak, por e sigurt që importi i mishit nga destinacione të reja do të jetë gati 15% më i shtrenjtë. Në tregun europian sot që flasim mishi nga Brazili ishte me çmimin më të ulët, ndaj për rrjedhojë ky çmimi i ri do të reflektohet edhe në tregun tonë. Por kufizimi i importeve do të bëjë që tregu të ketë më pak sasi, çka rrjedhimisht shoqërohet me rritje të mëtejshme çmimi. Pra minimalisht çmimi i këtij produkti do të rritet me 20% në treg”, – sqaroi Zusi.
Një vendim i tillë vjen në një kohë kur vendi po përballet me rënien më të madhe të sektorit të blegtorisë. Rënia është dyshifrore dhe lidhet me një sërë fenomenesh, me braktisjen e fshatit, rritjen e kostove, mbështetjen e pamjaftueshme për fermerët. Ndaj dhe amortizimi i çmimeve duket i vështirë për tu realizuar nga prodhimi vendas.




