
Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur edhe këtë të diel në Tiranë, në protestën e 113-të radhazi kundër qeverisë.
“Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndalën përpara Kryeministrisë.
"Është momenti që protesta të marrë përgjegjësi e të propozojë ide që mund t’i zhvillojmë vetëm së bashku. Shumë e rëndësishme është të mos dëshpërohemi dhe të jemi entuziastë për Shqipërinë që duam. Duhet të marrim përgjegjësi. Nuk është një lojë tavoline, por është një pikë serioze për Shqipërinë që duam. Na duhet një zgjidhje reale dhe e vërtetë. Shqipëria duhet të korrigjojë gabimet e Ramës dhe Berishës në 2008, ndryshimet kushtetuese, që të marrim sovranitetin, bashkë, pasi ky Parlament dhe mënyra se si është zgjedhur nuk na përfaqëson", tha njëri nga aktivistët.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës./Versus.al

