AKTUALITET /

Rama dhe Kurti nuk do të takohen në SHBA? Zbardhet agjenda e dy kryeministrave

Vizita e Kurtit po shihet me interes pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Shkruar nga Versus

Rama dhe Kurti nuk do të takohen në SHBA? Zbardhet agjenda e dy

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Kosovës, Albin Kurti, ndodhen në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të aktiviteteve që shoqërojnë Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Kurti ka mbërritur në SHBA më 18 shtator, ndërsa axhenda e tij përfshin takime me liderë botërorë, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe investitorë potencialë.

Burime nga SHBA, thonë se nuk ka aktualisht një plan për takim mes Ramës dhe Kurtit.

“Sipas një burimi timin me të cilin unë kontaktova, nuk ka ndonjë plan për takim mes tyre. Përgjigjja është lakonike, domethënë nuk dihen hollësi të tjera. Por kjo është diçka që mua më është thënë, që nuk ka ndonjë plan për një takim mes dy kryeministrave”, deklaroi Kejda Kostreci nga SHBA.

Gazetarja u ndal edhe te vizita e Kurtit në SHBA, e cila zhvillohet pak ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo theksoi se vizita e tij në New York po ndiqet me interes, veçanërisht për qëndrimet që mund të mbajë dhe takimet që do të zhvillojë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë botërorë gjatë qëndrimit në New York, ndërsa më 19 shtator ai zhvilloi edhe një takim me të rinj të diasporës shqiptare në SHBA.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zhvillon Javën e Nivelit të Lartë në New York, ku liderët botërorë mblidhen për takime dhe diskutime mbi çështjet kryesore ndërkombëtare./Versus.al

Poll