Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Në episodin e 65-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është akademiku Ali Aliu. (Pjesa e tretë)

Aliu: Rugova e kuptoi se duhej ta nxirrte çështjen e Kosovës jashtë kufijve, para se të niste lufta

4 o. më parë / 20 sht 2026 20:50
Ali Aliu

Akademiku Ali Aliu ka thënë se Ibrahim Rugova e kishte kuptuar që në fillim se çështja e Kosovës duhej të ndërkombëtarizohej dhe se dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve nuk duhej të mbetej vetëm brenda Kosovës.

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka thënë se Rugova, përmes qasjes së tij të qetë, arriti të krijonte miqësi me personalitete me peshë në vendimmarrjen ndërkombëtare.

“Rugova një ka luajtur një rol të veçantë, them unë, me natyrën e tij të qetë dhe me një rrezatim që i bënte njerëzit për vete. Ai arriti të bëjë miq personalitetesh me peshë në vendimmarrjen ndërkombëtare”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, Rugova e kishte kuptuar se një nga problemet kryesore të Kosovës ishte se dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve kishte mbetur për një kohë të gjatë pa u vënë në vëmendjen ndërkombëtare.

“Rugova e ndjeu që në fillim, që fatkeqësia e popullatës shqiptare në Kosovë ka qenë që çdo dhunë e ushtruar aty, deri në përmasa gjenocidi, ka mbetur brenda për brenda, nuk ka shpërthyer asgjë përjashta”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka përmendur edhe takimin e partive të vendeve në ish-Jugosllavi, të mbajtur në Stubiçke Toplice, afër Zagrebit, në vitin 1991, ku, sipas tij, Rugova kishte kundërshtuar idenë për hapjen e një fronti të armatosur.

Aliu ka rrëfyer se Rugova kishte argumentuar se Kosova sapo kishte nisur të tërhiqte vëmendjen e gazetarëve dhe organizatave ndërkombëtare dhe se hapja e një lufte në atë moment do ta dëmtonte këtë proces.

Aliu: Qosja refuzoi të bëhej kryetar i LDK-së

4 o. më parë / 20 sht 2026 20:30
ALI ALIU

Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer se Rexhep Qosja kishte refuzuar të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndonëse, sipas tij, në fillim nuk ishte kundër themelimit të partisë. Sipas tij, Qosja iu ofrua kjo pozita pasi fillimisht refuzoi Ibrahim Rugova. 

Aliu ka thënë se nuk ka qenë e qartë nëse Qosja kishte hezitim për t’u përfshirë në LDK apo kishte arsye të tjera, por ka treguar se ai nuk kishte shfaqur kundërshtim ndaj subjektit të ri politik.

“Unë e di këtë që Qosja në fillim nuk ishte kundër LDK-së, po nuk donte vetëm. Pse nuk donte, nuk donte të përzihej apo dhe ndonjë lloj droje, ne asnjëherë nuk ishim të sigurt”, ka thënë Aliu në podcastin “PIKË”, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi.

Aliu ka rrëfyer se gjatë një takimi me Qosjen në Sarajevë, ai e kishte ftuar që t’i bashkohej kryesisë së LDK-së, por Qosja kishte refuzuar.

“Po jemi të hapur aty, a po vjen në kryesi, burrë të të marrim?”, ka treguar Aliu se e kishte pyetur Qosjen. “Ende jo. Po ti rri dhe vazhdoje aty, mirë është”, ishte përgjigjur Qosja, sipas Aliut.

Aliu ka theksuar se kjo nuk nënkuptonte se Qosja ishte kundër LDK-së.

“Domethënë, nuk ishte, s’kishte gjë kundër”, ka thënë ai.

Në bashkëbisedim, Surroi ka vlerësuar se qëndrimi i Qosjes mund të lidhej edhe me mënyrën e tij të qasjes ndaj bashkëpunimit.

“Qosja nuk ka qenë profili i njeriut i cili do të bashkëpunonte në një ambient, ishte shumë më individualist në qasje, kështu që ishte krejtësisht e natyrshme ajo”, ka thënë Surroi.

Aliu rrëfen si u bind Rugova të bëhej kryetar i LDK-së: “Ibro, bashkë do jemi!”

4 o. më parë / 20 sht 2026 20:09
ALIU

Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer prapaskenat e përzgjedhjes së Ibrahim Rugovës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në ditët e themelimit të saj.

Duke folur për zhvillimet e asaj kohe në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Aliu ka treguar se Rugova fillimisht kishte refuzuar të merrte drejtimin e subjektit të ri politik, duke u shprehur se dëshironte të vazhdonte të qëndronte në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve.

Sipas tij, para se të propozohej sërish emri i Rugovës, ishte diskutuar edhe kandidatura e Rexhep Qosjes. Mirëpo, edhe Qosja e kishte refuzuar propozimin.

Aliu ka treguar se pas këtij refuzimi, iu kërkua nga Fehmi Agani që ta provonte edhe një herë ta bindte Rugovën “meqë kisha marrëdhënie më të afërt”. 

“Ty, besoj, do të të dëgjonte. Të provojmë edhe një herë, t’i vardisemi Ibrahimit, nëse nuk pranon, unë nuk do të hyj në kryesi”, ka rrëfyer Aliu se i ishte thënë në atë kohë.

Sipas rrëfimit të tij, Rugova vazhdimisht kundërshtonte dhe u kërkonte që ta linin të qetë, por në fund pranoi propozimin.

“Gjatë gjithë kohës Ibra ngrihej: ‘Lini mua rehat kështu’... me të drejtë! ‘O Ibro, bashkë do jemi!’. Edhe më në fund e pranoi. Kjo ka qenë”, ka treguar Aliu.

Aliu ka rrëfyer se procesi i themelimit të LDK-së kishte nisur përmes takimeve të një grupi intelektualësh në lokalin “Elida” në Prishtinë, ku diskutoheshin zhvillimet politike në Jugosllavi dhe nevoja për themelimin e një subjekti politik shqiptar në Kosovë.