Masa ndaj Vlora Hysenit, Çuçi: Përgjegjësia personale! Balliu: Informacionet janë shitur te kartelet e drogës

Me urdhër të SPAK, drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është vënë nën masën “arrest shtëpie” për dy akuza të rënda: “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Ndërsa me urdhër të SPAK u zhvilluan kontrolle në shtëpinë e ish-kryepolicit Ilir Proda.
Lidhur me këto zhvillime, deputetët e opozitës dhe mazhorancës janë përplasur në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku në rend dite ishte projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
Deputeti demokarti Klevis Balliu u shpreh se siguria kombëtare sot ka rënë dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa kryetari i këtij Komisioni, Bledi Çuçi deklaroi se përgjegjësia është personale dhe drejtësia është ajo që duhet të flasë.
Klevis Balliu: Përpara se të merreni me sigurinë e botës, merruni njëherë me sigurinë në Shqipëri, sepse qartazi siguria kombëtare këtu ka rënë, siguria e shtetit ka rënë, që në momentin kur këtu kanë raportuar zyrtarë të lartë në shërbim të krimit, kemi ngritur disa herë pyetje e çështje në këtë komision për Ilir Prodën, lidhjet me Agasin, tani që u arrestua Agasi po shihet çfarë lidhje kanë, këtu ka qenë edhe Vlora Hyseni kur e kam pyetur edhe në rrugë insitucionale përmes një letre, për kontakte dhe lidhje me Ergys Agasin.
Bledi Çuçi: Institucionet nuk janë emra të përveçëm, përgjegjësia është personale, sikundër çdo njeri është i pafajshëm derisa të dënohet, së dyti sa mirë që funksionon ndarja e pushtetit. Duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet ku pushtetet janë të pavarura, falë vullnetit të kësaj mazhorance. Shyqyr që ka ardhur kjo ditë që secili nga pushtetet ushtron veprimtarinë i pavarur. Pa e zbardhur plotësisht drejtësia ne nuk mund të flasim për këtë çështje.
Klevis Balliu: Një çështje që ne e kemi denoncuar prej kohësh, tani e ka marrë rrugën. Ju ftoj ju dhe të gjithë kolegët e PS mos të hyjmë në vallen për justifikimin e këtyre individëve që kanë masakruar sigurinë e vendit tonë. S’kemi pse të merremi me atë pjesë. Që në 2023 keni deklaratën e parë për lidhjen e Vlora Hysenit me Gys Agasin. Tani u kujtuan në 2026. Siguria kombëtare ka rënë në tokë. Informacionet e vendit sot janë shitur në treg te kartelet e drogës.
Bledi Çuçi: Këtë gjë t’ia lëmë drejtësië. Asaj drejtësie që po merr këto veprime.
Klevis Balliu: Duhet të largohet Edi Rama nga kryeministër, s’ka hetim të pastër për sa kohë ëhstë kryeministër se me fuqinë e kartonave ju pengoni hetimet. Çdo ditë që rri ai në atë karrige është rrezik për hetimet.
Në debat u përfshi edhe deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i cili tha se një vend i NATO-s sot është turpëruar.
Bledi Çuçi: Zoti Kapri kishit diçka?
Erald Kapri: Sot është një nga ditët më të rënda në historinë e shtet-formimit shqipar. Nuk kemi arritur kurrë në përmasa të tilla, ku shefi i SHISH që duhet të jetë institucioni më i kulluar, fatkeqësisht, ka nënshkuar një lloj kapitullimi që na ka bërë me turp. Ju thatë që përgjegjësia është personale. Si mund të jetë personale që kryetarja e SHISH shkëmben informacione me krimin e organizuar dhe ju flisni për përgjegjësi personale? Si mund të jemi krenarë kur një vend anëtar i NATO ka shefen e SHISH nën arrest për shitje sekretesh. Sot ne kemi turpëruar Shqipërinë. Është e paimagjinueshme. E keni bërë narkosin që të duket sikur është përrallë. Duhet të ketë vetëm një kërkesë të vetem. Kryeministri të ndërpresë kërkesën në OKB, të vijë këtu dhe të japë dorëheqjen.




