Masa ndaj Vlora Hysenit, Berisha: Shefja e SHISH në shërbim të krimit, nivel i ulët tradhtie

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me masën e vendosur ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.
Sipas Berishës, kjo është hera e parë që dëgjohet se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.
Berisha ka deklaruar se nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës dhe ligjit se ajo që ka bërë Vlora Hyseni.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.
Sot prokuroria ka lëshuar urdhër-arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.
Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, tha Berisha.




